Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në Kampin Shkencor Rajonal “Balkan STEM Innovation Camp”, ku nxënës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës prezantuan projektet e tyre inovative në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci vlerësoi rëndësinë e këtij kampi si një bashkim i shkollave shqipe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës dhe theksoi se promovimi i arsimit në fushat STEM mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.
Në fund, ajo falënderoi shkollat pjesëmarrëse dhe të gjithë partnerët që kanë kontribuar në organizimin e këtij aktiviteti, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i përvojave janë themel për një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë e rajonit.
Kampi Shkencor është një aktivitet rajonal në formën e panairit shkencor, që mbledh nxënës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës me qëllim të nxitjes së kureshtjes dhe mendimit kritik përmes shkencës dhe inovacionit, inkurajimit të punës praktike dhe bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet nxënësve dhe mësuesve, si dhe forcimit të rrjetit të shkollave që promovojnë edukimin shkencor përmes metodave interaktive.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve arsimore dhe organizatave partnere, ndërsa u prezantuan projekte të ndryshme me karakter inovativ dhe kreativ nga nxënësit e rajonit.