Klasa të ngarkuara deri në 40 nxënës, me 62 klasa të vendosura në 21 paralele.
Është kjo shkolla e vetme në Prishtinë që funksion me tri ndërresa.
Një mbingarkesë e tillë për nxënësit e shkollës “Pavarësia”, në lagjen “Mati I”, po paraqet problem të madh, sidomos për ata më të vegjlit.
Mësuesja e kësaj shkolle, Hamide Sopi, ka treguar se sa i vështirë është funksionimi i shkollës me 3 ndërresa.
Sipas saj, në ndërresën e tretë nxënësit shkojnë të lodhur në shkollë.
Drejtori i kësaj shkolle, Isak Bregaj, ka thënë se megjithëse ka filluar ndërtimi i një aneksi shtesë, ai do të ofrojë zgjidhje optimale pasi trendi i rritjes së nxënësve po vazhdon.
Ndërtimi i shkollave të reja, sipas tij, është shumë e nevojshme.
Problemi me mbingarkesën e nxënësve në këtë shkollë do të zgjidhej me ndërtimin e shkollës së re në lagjen “Mati 1”.
Në nëntor të vitit 2022, nënkryetari Alban Zogaj pati deklaruar se punimet për ndërtimin e shkollës së re në këtë lagje fillon në pranverën e vitit 2023, ndërsa mësimi në të fillon në shtator të vitit 2024.
Kur kanë mbetur edhe 5 muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, ende nuk është vendosur as gur themeli i kësaj shkolle.
Së bashku me të është dashur të ndërtoheshin edhe shkollat në Sofali e në lagjen “Prishtina e Re”.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Fisnik Dërguti ka thënë se mbingarkesa e tillë po korrespondon me rezultatet e dobëta në testin PISA.
Në këto 3 shkolla, të cilat do të ndërtohen në bashkëpunim me Partneritetin Publiko- Privat (PPP) është paraparë të vijojnë mësimin 2500. /KOHA