Vendi nordik braktis pajisjet digjitale, teknikë e re e mësimdhënies.
Këtë vjeshtë nxënësit në qytetin finlandez të Riihimaki u kthyen në shkollë me çanta shpine plot me libra e fletore. Këtë vit nxënësit kanë braktisur laptopët dhe pajisjet e tjera dixhitale në klasë.
Sistemi arsimor publik i Finlandës është i njohur në botë për suksesin e tij në dekadat e fundit dhe gatishmërinë e tij për të provuar teknikat e reja të mësimdhënies.
Deri vonë, shumë shkolla u jepnin laptopë falas të gjithë nxënësve që në moshën 11-vjeçare. Por prindërit dhe mësuesit finlandezë, si kudo tjetër në botë janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar për ndikimin e pajisjeve digjitale tek fëmijët.
Kështu që në Riihimaki, një qytet me rreth 30,000 banorë 70 km në veri të Helsinkit, i cili që nga viti 2018 kishte ndërprerë përdorimin e shumicës së librave në shkollat e mesme, autoritetet po përpiqen të bëjnë diçka ndryshe për fillimin e këtij viti akademik, t’i kthehen stilolapsit dhe letrës.
“Ndoshta kur përdornim më shumë Chromebook, ndonjëherë shkoja në uebsajte të ndryshme. Nuk fokusohesha gjithmonë në gjërat thelbësore.”
“Mund të përqëndrohem më mirë. Dhe të bërit e detyrave të shtëpisë është më e lehtë sepse nuk më duhet të mbështetem tek një pajisje digjitale për ta bërë këtë. Sa i përket të shkruarit, është pak e lodhshme por mëson më shpejt.”
Minna Peltopuro, me profesion psikologe thotë se koha e shpenzuar në ekran duhet të reduktohet në minimum.
Aktualisht adoleshentët finlandezë kalojnë deri në gjashtë orë në ditë kohë në ekran. Për të, përdorimi i tepruar i pajisjeve dixhitale vjen me rreziqe fizike dhe mendore dhe shkakton probleme të tilla si problemet me sytë dhe ankthi në rritje.
“Koha totale duhet të jetë minimale, pra jo orë të tëra para ekranit, por diçka më pak. Dhe një tjetër është multitasking. Dua të them që ju jeni duke bërë një ushtrim në kompjuter dhe pastaj shkoni të kontrolloni Instagramin, a ka ndonjë mesazh? Dhe pastaj i kthehesh matematikës dhe më pas shkon në Snapchat dhe më pas i kthehesh matematikës dhe e sheh që, ok, nuk mund ta bëj këtë pa asnjë udhëzim.
Dhe ju shkoni në një faqe tjetër te kompjuteri për të gjetur udhëzimet dhe për t’u kthyer në matematikë e kështu me radhë. Pra, truri është shumë i prekshëm kur je duke bërë shumë gjëra në një kohë veçanërisht në një moshë të re. Kështu që ata nuk mund ta menaxhojnë mirë.”
Në të gjithë Finlandën, rezultatet e të mësuarit të fëmijëve kanë rënë në vitet e fundit, duke e shtyrë qeverinë të planifikojë një legjislacion të ri për të ndaluar përdorimin e pajisjeve personale, si telefonat, gjatë orëve të shkollës për të shkurtuar kohën e fëmijëve para ekranit. /Klan News