Krahas nevojës për asistentë e psikologë, në shkollat e Kosovës kanë nevojë edhe për logopedë, pasi është vlerësuar se është një numër i madh i fëmijëve që kanë nevojë për trajtim.
Ndërkohë, statistikat kanë treguar se shumë fëmijë me nevoja të veçanta nuk e vijojnë mësimin për arsye të mungesës së infrastrukturës së duhur e mungesa të tjera. Por, Institutit Kosovar për Logopedi, ka angazhuar disa logopedë në shkolla për fëmijët që kanë probleme me të folurin.
Sipas hulumtimeve që janë bërë nga UNICEF para dy vjetësh, në Kosovë janë 43 mijë fëmijë me nevoja të veçanta, ku prej tyre vetëm pesë mijë fëmijë e vijojnë shkollimin, ndërsa të tjerët nuk e vijojnë. Kjo, për shkak se mungojnë shërbimet në shkollë, interieri dhe fëmijët kanë barriera të ndryshme për qasjen në shkollë. Drejtorja e Institutit Kosovar për Logopedi, Ardita Uka-Rexha, ka bërë një hulumtim në vitin 2020 për çrregullimet tek fëmijët nëpër shkolla. Nga ky hulumtim, ajo ka parë së në çdo klasë, së paku tre fëmijë kanë nevojë për logopedë. Për këtë arsye, ky Institut ka marrë disa iniciativa.
“Fëmijë që nuk janë të identifikuar me aftësi të kufizuar, por kanë dislali, që është çrregullim i të folurit, ku fëmija nuk i shqipton mirë fjalët. Kjo më ka bërë të kuptoj që është shumë e nevojshme të përfshihet edhe logopedi. Duke parë rëndësinë dhe nevojën, ne kemi marrë si iniciativë për të asistuar tek fëmijët që kanë nevojë për logopedë nëpër klasa. Kjo iniciativë ka filluar qysh në vitin 2018 dhe vazhdon edhe sot. Por sot, e kemi ndryshuar pak iniciativën. Duke parë që MASHT ka angazhuar asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, ne kemi menduar të hapim kabinete. Një e kemi hapur në shkollën fillore “Emin Duraku”, në Prishtinë. Ky kabinet është funksional prej gjashtë muajsh, ku për momentin marrin shërbime falas 13 fëmijë, të cilët kanë vështirësi në artikulim dhe që nga momenti që i kemi marrë në kabinet kanë pasur progres të jashtëzakonshëm”, tha Uka-Rexha.
Në këtë kabinet janë të angazhuar gjashtë logopedë, të cilët japin shërbime falas, ku janë vlerësuar 21 fëmijë, prej të cilëve 13 marrin shërbimet logopedike. Një kabinet i tillë është i hapur edhe në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë. Uka, bëri të ditur se iniciativa e Institutit është që të vazhdojnë të hapin edhe kabinete të tjera.
“Për momentin kemi synim hapjen e kabinetit në shkollën “Asim Vokshi”dhe në shkollën “Hilmi Rakovica”. Nga vëzhgimet dhe hulumtimet që kemi bërë nëpër shkolla në Prishtinë, kemi parë që vetëm në shkollën “Hilmi Rakovica”, janë 99 fëmijë që kanë nevojë për logopedë. Është shkollë që nuk ka logopedë, nuk ka kabinete dhe është shkollë që ka nevojë për shumë asistentë, pasi numri prej 99 fëmijëve që kanë nevojë për logopedë është i madh”, tha ajo.
Ndërkohë, një nënë që ka fëmijën e saj në klasën e parë dhe ka probleme me të folurin, tha se shërbimet logopedike private kushtojnë shumë dhe e kanë të pamundur t’i mbulojnë. Drita Islami, shprehu nevojën e pranisë së logopedëve nëpër shkolla.
“Shkolla ku vijon mësimin fëmija im nuk ka logoped dhe jam e detyruar ta dërgoj në privat, që ka një kosto shumë të madhe. Unë si prind kërkoj që të bëhet një zgjidhje e të ndërhyjë shteti për këtë problem, që nuk më shqetëson vetëm mua, por edhe shumë prind të tjerë”, tha Islami.
Ndërkohë, studentja e logopedisë, Albina Krasniqi, është vullnetare në shkollën “Emin Duraku”, e cila i trajton fëmijët me ngecje në të folur. Ajo tregon se si bashkëpunojnë me shkollën dhe prindërit për trajtimin e fëmijëve.
“Fillimisht i kemi informuar të gjitha organet shkollën dhe prindërit. Prindërit që i kanë vërejtur fëmijët e tyre ndonjë ngecje janë drejtuar tek ne ku dy javët e para i kemi vlerësuar se cilët kanë nevojë për trajtim. Trajtimet që ne i bëjmë këtu janë dislalia (çrregullim i gjuhës) dhe belbëzimi”, tha Krasniqi.
Instituti Kosovar për Logopedi ka bashkëpunim me disa shkolla e komuna të vendit, ndërsa Komuna e Prishtinës e ka mbështetur financiarisht këtë iniciativë. Por, jo të gjitha komunat kanë pasur mundësi financiare të mbështesin këtë iniciativë. Instituti ka angazhuar logopedë edhe në Komunën e Lipjanit, ndërsa ka për synim që të angazhohen edhe në Komunën e Obiliqit. Ky Institut ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Arsimit për mbështetje financiare në angazhimin e logopedëve, por Ministria iu ka thënë se tashmë kanë angazhuar asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Radio Kosova, ka kërkuar përgjigje nga Ministria për çështjen e angazhimit të logopedëve në shkolla, por nuk e ka kthyer një përgjigje të tillë.
Shumë shkolla në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen edhe me problemin e mungesës së asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe të psikologëve e logopedëve. Në shumicën e shkollave, gjithashtu mungon infrastruktura e duhur për këta fëmijë. Ministria e Arsimit, ka theksuar se po punojnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale nëpër shkolla, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, që mundëson qasjen e këtyre fëmijëve.