Në paralelen e ndarë të shkollës fillore “Zef Serembe” në fshatin Leshan të komunës së Pejës, nxënësit po vijojnë mësimin në një objekt të ri e modern, por që fatkeqësisht asnjëherë nuk është pranuar teknikisht.
Edhe pse ndërtesa u përfundua para gjashtë vitesh, shkolla nuk është pajisur me inventar bazik si banka, karrige, materiale mësimore apo pajisje teknike që i nevojiten procesit arsimor.
Objekti, bashkë me palestrën sportive shumë moderne që është ndërtuar ngjitur me të, paraqet një investim të rëndësishëm për komunitetin, por mungesa e përkushtimit nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Pejë ka bërë që projekti të mbetet i papërfunduar në praktikë.
Banorët dhe mësimdhënësit shprehen të zhgënjyer që, pavarësisht kushteve të mira fizike të ndërtesës, institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për pranimin teknik dhe pajisjen e saj me inventar të duhur.
“Tash gjashtë vjet fëmijët tanë mësojnë në shkollë pa pranim teknik dhe me mungesë materialesh. Është e pafalshme që një objekt kaq i bukur nuk është shfrytëzuar siç duhet”, shprehen prindërit e nxënësve.
Ndërkohë, DKA në Pejë, sipas banorëve, nuk ka kthyer as kokën drejt këtij problemi, duke lënë pa zgjidhje një çështje që prek drejtpërdrejt cilësinë e arsimit dhe sigurinë e fëmijëve.
Mungesa e rrethojes se shkolles po rrezikon edhe sigurinë e shkollës.

Autori i shkrimit Xhafer Avdyli – ish-mësimdhënës në paralelen e shkollës në Leshan