Në ambientet e shoqatës dhe të shkollës shqipe “Korabi” u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së librave për nxënësit e niveleve I dhe II të kursit të gjuhës shqipe, një aktivitet me rëndësi të veçantë arsimore dhe kulturore për komunitetin shqiptar në Itali, shkruan AlbanianEducation.net.
Ngjarja u shoqërua nga një atmosferë e ngrohtë dhe festive, ku fëmijë, prindër dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare u bashkuan rreth një qëllimi të përbashkët: ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Njoftimi i shkollës “Korabi”:
Më 17 janar 2026, në ambientet e shoqatës dhe të shkollës shqipe “Korabi”, u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së librave për nxënësit e niveleve I dhe II të kursit të gjuhës shqipe. Aktiviteti solli një atmosferë të ngrohtë e festive për fëmijët, prindërit dhe komunitetin, duke ritheksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar.
📌 Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i shoqatës “Korabi”, z. Astrit Poti, theksoi rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në familje, si gurthemeli i parë i trashëgimisë sonë gjuhësore, duke garantuar mbështetjen e vazhdueshme të shoqatës në këtë mision. Koordinatori i shkollës shqipe, z. Astrit Bërxulli, vlerësoi ecurinë e shkollës dhe përkushtimin e mësueseve e të prindërve.
📌 Një vlerë të veçantë institucionale aktivitetit i dha pjesëmarrja e znj. Luljeta Çobanaj, oficere e diasporës pranë Konsullatës së Përgjithshme të RSH-së në Milano, e cila foli për rëndësinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe për brezat e ardhshëm, por mbi të gjitha nënvizoi vëmendjen dhe mbështetjen gjithnjë në rritje të institucioneve shqiptare për t’u ardhur në ndihmë të gjitha hallkave që i janë përkushtuar kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme, punën që ka sjellë në krijimin e një rrjeti tashmë të institucionalizuar të shkollave shqipe në Itali.
📌 Znj. Anila Berberi, kryetare e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali, dhe znj. Mirela Kristo, mësuese në shkollën shqipe në Ferrara, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes shkollave shqipe për forcimin e cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet projekteve të përbashkëta. Ato falenderuan institucionet shqiptare, selitë diplomatike dhe në mënyrë të veçantë QBD-në, e cila jo vetëm merret me hartimin e teksteve shkollore dhe jashtëshkollorë të një niveli bashkëkohor, por i ka kushtuar një vëmendje të madhe edhe ngritjes profesionale të mësuesve nëpërmjet trajnimeve dhe seminareve.
📌 Mirënjohja më e thellë u shkon mësueseve Valbona Toçi dhe Aurela Poti , që me përkushtim dhe dashuri u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe dhe dhe nëpërmjet saj edhe atdhedashurinë.