Një sherr jo fort i zakonshëm ka ndodhur në udhëtimin e fundit të organizuar për maturantët e shkollës private ‘Europian School of Kosova’ në Prishtinë. Historia e ‘braktisjes’ së nxënësit të klasës së 12-të, Andi Maçani, në Budva të Malit të Zi ka dy anë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën.
Prindërit pretendojnë se Andi pagoi për udhëtimin njësoj si gjithë të tjerët, por u ‘përjashtua’ nga grupi i maturantëve që udhëtuan për në qytetin bregdetar malazez, ndërsa shkolla i hedh poshtë të gjitha akuzat që drejtohen në adresë të tyre.
Andi Maçani, nxënës i klasës së 12-të në shkollën private “Europian School of Kosova”, nuk arriti ta shijojë siç duhet udhëtimin e fundit me shokët e shoqet e klasës së shkollës së mesme. Ky ekskursion i cili mbahet mend gjithë jetën nga të gjithë maturantët, te Andi la shije të hidhur, pasi që sipas familjarëve të tij, ai u keqtrajtua nga menaxhmenti i shkollës, konkretisht drejtoresha Hajrije Devetaku Gojani. Prindi i Andit, ka deklaruar se pavarësisht se ata paguan 300 euro për udhëtimin e djalit të tyre në Budva njësoj si gjithë të tjerët, ku ndër të tjera përfshihej edhe transporti nga Prishtina në destinacion, atij iu desh që Andin ta dërgojë në Budva me veturën e tij personale. Kjo pasi që sipas tij, drejtoresha e shkollës nuk e ka lejuar Andin që të udhëtojë me pjesën tjetër të klasës.
E gjithë telashja që u krijua, sipas prindit të Andit e ka si motiv një lidhje shoqërore të Andit me vajzën e drejtoreshës, e cila gjithë sjelljen karshi djalit të tij e ka bërë në shenjë hakmarrjeje, duke i arsyetuar veprimet e saj me sjelljen e pahijshme të Andit në shkollë.
“Drejtoresha për shkak të raportit të Andit me vajzën e saj, e pati suspendu Andin në nëntor të vitit të kalum për tri ditë. Arsyeja e suspendimit sipas drejtoreshës ka qenë se Andi ka shku një ditë me motor në shkollë, pasi që shtëpinë e kemi afër dhe sipas saj kjo është kundër rregullave të shkollës. Ok, e ka suspendu edhe s’ka shku në shkollë për tri ditë. Por gjatë atyre tri ditëve që ka mungu Andi, në të gjitha landët ia ka ba mungesat pa arsye. E këtij iu kanë ba 24 mungesa pa arsye, gjë që ka pasu me thyerjen e notës së sjelljes së Andit“, ka thënë Ilir Maçani, babai i Andit.
Sipas Maçanit, drejtoresha nuk ka bërë të njëjtat veprime edhe për nxënësit tjerë të cilët ishin me të njëjtën notë të sjelljes si Andi.
Madje ai thotë se në udhëtimin e kaluar të cilin e kishte bërë shkolla në Tiranë, Andi kishte shkuar pa asnjë telashe, ndonëse kishte notën e sjelljes të thyer dhe ishte i suspenduar.
“Para tri jave kta janë kanë edhe në nji udhëtim tjetër që ka zgjat tri ditë në Tiranë. Ka qenë edhe Andi në atë udhëtim, e tash atëherë nuk i ka vlejtë kjo për suspendim, e tash s’ka mujt me shku shkaku i tij. Kjo është e pakuptimtë“, ka thënë prindi i Andit.
Ai bën të ditur se për udhëtimin në Budva ishin njoftuar nga vetë kujdestarja e klasës, Arlinda Dvorani Xhemshiti, e cila përmes Viber-it u kishte dërguar prindërve ofertën për ekskursionin e nxënësve të klasës së saj.
“Kur erdh puna për këtë udhëtimin në Budva që shkun, i kena bisedat që kujdestarja na i ka çu e na i ka kallëzu krejt ofertën. Kena me nejtë pesë ditë, kena me nejtë n’këtë hotel, përfshihet transporti e të gjitha këto. Tha se pagesa është 300 euro edhe na krejt i kemi pagu. Por kur e ka marrë vesh drejtoresha, ka thanë Andi s’mundet me ardhë se e ka notën e sjelljes të thyme“, shtoi Maçani.
Sipas tij, ai dhe bashkëshortja e tij, nëna e Andit, kanë provuar që të kontaktojnë me drejtoreshën Devetaku Gojani për të bërë një kompromis, por që kjo e fundit nuk e kishte pranuar as në takim nënën e nxënësit. Si rrjedhojë, ai tha se kishin rënë dakord me kujdestaren që Andin ta dërgojë prindi i tij në Budva dhe më pas të kthehet në Prishtinë.
“Ajo ka mendu që na jemi të ngarkum me punë edhe metet Andi pa shku. Edhe unë i kam lanë krejt punët e mia edhe e kom marrë e kam çu Andin, jam shku mas autobusi me kombi, jena nalë në 3-4 vena. Ajo drejtoresha as s’më ka folë. Kujdestarja ka ardhë më ka folë, kemi nejtë me të pas asnjë të keqe“, njoftoi ai.
Maçani ka thënë se sjellja e drejtoreshës Devetaku ishte korrekte, për aq kohë sa kishte qëndruar edhe ky vetë në Budva. Por gjithçka kishte ndryshuar dy ditë më vonë, kur sipas prindit, ajo i kishte kërkuar Andit që të kthehet në Prishtinë me grupin tjetër të shkollës të cilët ishin nxënës të klasëve më të ulëta dhe jo me klasën e tij. Por këtë gjë nuk e kishte lejuar babai i Andit i cili e kishtë udhëzuar të vazhdojë të qëndrojë me klasën e tij.
Por sipas prindit, sjelljet jo korrekte të drejtoreshës karshi Andit vazhduan edhe dy ditë pasi ai nuk pranoi të kthehej në Prishtinë me nxënësit që nuk ishin shokët e shoqet e klasës së tij.
“Mas dy dite kur djali nuk u kthye me ata, ajo ka marrë veprimin tjetër se ka ba shumë gabime në këtë rast. I ka mbledhe krejt nxansat e klasës edhe iu ka thanë që kushdo që rrin me Andin, unë kam me e përjashtu edhe s’kam me marrë me veti në Prishtinë“, është shprehur prindi i Andit.
Sipas tij, dy ditë të tëra Andi ka qëndruar i izoluar dhe askush nga nxënësit nuk ka guxuar t’i afrohet e as t’i flasë. Madje prindi thotë se djali i tij është braktisur në Budva dhe nuk është lejuar që të kthehet me klasën e tij në autobusin për Prishtinë, duke u lënë kështu i vetëm pa askënd në një qytet të huaj.
“Kur kanë dashtë me u nis për knej, shoferi i autobusit ia ka dhanë Andit tinza 1 numër të nji kompanie turistike i ka thanë këta vijnë përditë në Budva në orën 3, mun me ardhë ti sot mu nisë me këtë kompani edhe me u kthye në Kosovë. Por unë i kam thanë rri në hotel edhe unë vij të marr nesër në mëngjes. Ashtu edhe veprova, shkova e mora dhe u kthyem bashkë në Prishtinë“, ka thënë tutje prindi i Andit.
Por një rrëfim krejt ndryshe e ka dhënë menaxhmenti i shkollës, të cilët kanë thënë se Andi Maçani nuk ka qenë i paraparë që të jetë pjesë e udhëtimit të maturantëve për në Budva.
Kjo për shkak të disa vërejtjeve e masave disiplinore të cilat i janë shqiptuar Andit nga shkolla, përfshirë këtu edhe vendimin për suspendim.
“Sipas rregullores së shkollës, nxënësit të cilët kanë vërejtje të tilla nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në eksursione e vizta kulturore që organizohen nga shkolla“, thuhet në përgjigjen e “Europian School of Kosova”.
Sipas tyre, Andi kishte udhëtuar për në Budva në mënyrë të pavarur me këmbënguljen e prindërve të cilët janë thirrur në moshën madhore të Andit (18+).
Ndonëse Ilir Maçani thotë se nuk ka kontaktuar asnjëherë me menaxhmentin e shkollës, ata thonë se pas shumë bisedave, kanë pranuar propozimin që ai të jetë i përfshirë në këtë udhëtim së bashku me prindin e tij.
“Pra, kërkuam nga prindërit që ta sjellin Andin vetë dhe të qëndrojnë në hotel me Andin për shkaqe sigurie dhe për evitimin e ndonjë problemi të mundshëm nga ai“, thuhet tutje në përgjigjen e ESK-së.
Shkolla fajëson prindin e Andit, duke thënë se pa asnjë paralajmërim është kthyer të nesërmen në Kosovë dhe e ka lënë djalin pa mbikëqyrje, duke e thyer sipas tyre, marrëveshjen me shkollën.
ESK pretendon se pavarësisht të gjithave, Andit i është ofruar mundësia që të kthehet nga Mali i Zi me grupin tjetër, por që nuk ishte lejuar nga babai i tij.
“Shkolla ka respektuar plotësisht vendimin e prindërve që Andi të vazhdojë me pushime dhe të kthehet me prindin e tij“, shkruan tutje në përgjigjen nga shkolla për Sinjalin.
Sipas menaxhmentit të shkollës, çdo pretendim tjetër është shpifje dhe tentim për njollosjen e institucionit.
Por, babai i Andit, Ilir Maçani, thotë se rastin do ta paraqesë edhe në organet e drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit.
Sipas tij e gjithë ngjarja ka ndikuar shumë keq psiqikisht tek Andi, pasi që e ka përjetuar rëndë izolimin nga shokët e shoqet e klasës, për çka thotë se u bë krejt në shenjë hakmarrjeje.