Shkolla në Vërmicë të Malishevës që dy muaj pa tre mësimdhënës

- Advertisement -

Pa mësimdhënës të lëndës së kimisë kanë mbetur tash e dy muaj nxënësit në fshatin Vërmicë të Malishevës.

- paragrafi 1 -

Kjo shkollë përpos kuadrit për lëndën e kimisë, kanë mungesë edhe të mësimdhënësve në lëndën e TIK-ut dhe të ciklit fillor. Dy nga ta kanë marrë pushim pa pagesë, ndërsa tjetri është pensionuar. Nxënësit kanë thënë se kjo situatë do t’i pengojë ata në nxënien e njohurive.

- Advertisement -

Bëhen dy muaj që nxënësit në shkollën “12 Prilli” në fshati Vërmicë të Malishevës nuk kanë mbajtur lëndën e kimisë. Ata nuk janë duke e mbajtur as lëndën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, meqë dy mësimdhënësit kanë marrë pushim pa pagesë.

Mungesa e arsimtarëve ka ngritur shqetësime te nxënësit.

“Kemi mbetur me mësime mbrapa. Kimia është shumë e rëndësishme pasi ka lidhje me lëndë tjera duhet të mësojmë më shumë për kiminë. Çka nëse në të ardhmen dëshirojmë të ndjekim gjimnazin shkencor”, ka thënë nxënësja Mirvete Gashi.

- Advertisement -

Edhe Elmedina Gashi, nxënëse e klasës së shtatë, ka shprehur të njëjtin shqetësim.

“Nëse nuk e mbajmë kiminë mundet me na pengu në të ardhmen tonë, për shembull kur të shkojmë në një shkollë tjetër nuk do të dimë asgjë”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e shkollës, Mendushe Gashi, ka thënë se mësimdhënësja e fizikës është e angazhuar në mbajtjen e orëve në lëndën e kimisë.

“Te klasa shtatë e kemi përzgjedhur mësimdhënësen e fizikës, pasi e ka të përfunduar fizikë-kimi, i mban dy orët e klasës së shtatë. Ndërsa e teta dhe e nënta janë pak më mbrapa, por kemi kërkuar një mësimdhënës që është adekuat për kimi, pasi lënda e kimisë është pak ma e komplikuar sepse njohuritë janë të gjitha teorike e praktikë nuk ka asgjë”, ka thënë ajo.

Edhe nxënësit e klasës së katër tash e dy muaj janë pa mësues, meqë mësimdhënësi i tyre ka dalë në pension. E orët e tij është duke i mbajtur mësimdhënësja e klasës së tretë.

“Mësimdhënësja është duke i mbajtur orët e plota – prej orës 8 deri 10:30 i mban me klasën e tretë, e prej 10:30 deri në 12:30 që ndodhë deri në ora 13:00 i mban me klasën e katër për t’i kompensuar orët që nxënësit të mos mbesin pa njohuri”, ka thënë drejtoresha.

Në Drejtori të Arsimit kanë thënë se procesi për rekrutimin e mësimdhënësit për klasën e katër është afër përfundimit. E për arsimtarët e lëndës së kimisë dhe të TIK-ut theksuan se do t’i angazhojnë mësimdhënësit që nuk kanë normën e plotë të orëve mësimore.

Hapjen e konkursit të ri për këto pozita në DKA kanë thënë se e kanë të pamundur, meqë priten të kthehen mësimdhënësit nga pushimi pa pagesë.

KOHA ka raportuar edhe më herët që mësimdhënësit janë duke shfrytëzuar pushimin 1-vjeçar pa pagesë, për të shkuar jashtë vendit. Ligji i Punës ua mundëson që të punësuarit të marrin një vit pushim pa pagesë dhe pas asaj periudhe të kthehen në vendin e punës. Kërkesa për pushim pa pagesë aprovohet nga drejtoritë komunale të arsimit, kur mësimdhënësit i nevojitet për çështje mjekësore apo për ngritje profesionale.

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) patën deklaruar se largimi i mësimdhënësve jashtë vendit është shndërruar në fenomen.

Nga njohësit e arsimit shfrytëzimi i pushimit pa pagesë për arsye që nuk lidhen me shëndetin dhe ngritjes së tyre akademike, është vlerësuar si keqshfrytëzim për të ruajtur vendin e punës. / KOHA