Një prind ka raportuar se shkolla fillore e mesme e ulët “Iliria” në Prishtinë do ta mbajë Festën e Abetares në një restorant.
Ky prind ka dërguar në KALLXO.com një dokument, në të cilin shkruan dhe i kërkohet bashkëpunimi dhe miratimi i tij “për aktivitetet e planifikuara jashtëshkollore që do të realizohen në të ardhmen jashtë Prishtinës, duke përfshirë edhe Festën e Abetares që do të mbahet një një restorant”, për fëmijën e tij.
Edhe pas insistimit të ekipit të KALLXO.com, drejtoresha e shkollës “Iliria”, Drita Marmullaku- Nishevci, nuk ka pranuar të flasë para kamerës për të treguar se a do ta mbajnë Festën e Abetares në restorant, ashtu siç kishte raportuar një prind.
Ndërsa, Këshilli i Prindërve pasi është kontaktuar nga KALLXO.com, ka deklaruar se do të mbajnë një mbledhje me drejtoreshën për të biseduar për këtë çështje.
Drejtoresha e shkollës, Drita Marmullaku- Nishevci përderisa është pyetur nga ekipi i KALLXO.com se ku do ta mbajnë Festën e Abetares dhe a është e vërtetë se u është kërkuar prindërve të paguajnë nga 24 euro që fëmijët e tyre të marrin pjesë në Festën e Abetares, e ka mohuar.
Marmullaku-Nishevci tha se mësimdhënësit e klasave të para ende nuk e kanë vendosur se ku do ta mbajnë Festën e Abetares dhe se Festa do të mbahet brenda apo jashtë shkollës.
Jo, në restorant, jo. S’ka restorant. D.m.th. është në hapësirë të hapur, natyrë… Dëgjom, s’e kanë vendosë mësueset hala qysh” – ka thënë ajo.
Pas pothuajse një orë takim mes drejtoreshës së shkollës “Iliria” dhe kryetares së Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, Nafije Gashi-Ademi ka thënë se aktivitetet për Festën e Abetares që ishin planifikuar të mbahen në një restorant, janë anuluar.
“Aktivitetet për Festën e Abetares kanë pasë të mbahen në natyrë edhe është zgjedh *** (emri i restorantit) për shkak të oborrit që të mbahen disa aktivitete n’oborr jashtë, ndërsa Festa e Abetares do të mbahet në shkollë” – ka deklaruar Gashi-Ademi.
Se pse u anuluan aktivitetet e Festës së Abetares që ishin planfikuar të mbahen në restorant, Gashi-Ademi ka thënë se shkak ishin reagimet e prindërve, të cilët sipas saj, nuk kishin dashur të mbahen aktivitete të tilla.
“Ne sot e sqaruam me aktivin e mësueseve të klasëve të para edhe thanë që ka pasë të mbahen disa aktivitete, lojëra në natyrë, maskota, gjëra të tjera për fëmijë në oborr të një restoranti, përkundrejt një pagese të caktuar, ky aktivitetet është anulu edhe Festa e Abetares ka qenë e planifikuar dhe do të mbahet në shkollë sipas diskrecionit të mësueseve me klasën e vet” – ka njoftuar Gashi.
Gashi po ashtu ka përmendur se kishin pranuar shqetësime nga disa prindër në lidhje me organizimin e Festës së Abetares në restorant.
“Po, ka pasë shqetësime të cilat i kemi ngritë në Këshillin e Prindërve, kam shpresu që Këshilli i Prindërve të klasëve të para do të reagojë, nuk ka pasë reagime kolektive diçka, por ka pasë reagime individuale nga disa prindër” – tha ajo.
https://www.facebook.com/share/v/BTsZc3HzgAZQmgS6/?mibextid=oFDknk