Rreth 500 nxënës të Shkollës së Mesme të Ulët në Pozheran të Vitisë mbajnë orë mësimi jo më të gjata se 25 minuta. Ata vijojnë procesin mësimor në katër ndërresa në objektin e Shkollës së Mesme Profesionale, meqë objekti i shkollës së tyre u rrënua pas tërmetit, ndërsa i riu nuk është finalizuar ende.
Nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Halil Alidemaj” në Pozheran të Vitisë e mbajnë mësimin me katër ndërresa, në një pjesë të objektit të Shkollës së Mesme të Lartë në këtë fshat.
Në vitin 2016 u rrënua objekti shkollor shkaku i dëmtimeve nga tërmeti e objekti i ri i kontraktuar nga Ministria e Arsimit nuk është finalizuar.
Në këtë shkollë e vunë në dyshim cilësinë e mësimit të 500 nxënësve shkaku i orëve mësimore të shkurtra.
“Vetë fakti që ora mësimore është 25 minuta, nxënësve nuk u jep mundësi të shprehen apo ta japin maksimumin për të gjitha objektivat e procesit mësimor. Nuk e lejon koha sepse 25 minuta është shumë kohë e shkurtër”, ka thënë Drita Piraj, drejtoreshë e shkollës “Halil Alidemaj”.
Prindërit e nxënësve treguan se janë organizuar protesta me qëllim që objekti shkollor të përfundojë, por zvarritja në punime ka vazhduar. Edhe ata ankohen për kohën e pamjaftueshme që fëmijëve u është vënë në dispozicion për të mësuar.
“Është një vit i humbur sepse me 25 minuta mësim, nuk është e arsyeshme. Sado që fëmija të jetë i zgjuar, nuk mund ta arrijë atë nivelin e lartë edhe pse mësimdhënësit janë të angazhuar, kështu që çdo ditë kemi vërejtje nga çdo anëtar i secilës familje që e kanë fëmijën këtu në shkollë”, ka thënë Selami Piraj, kryetar i Këshillit të Prindërve.
E, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Halitaj, është ankuar në nivelin qendror dhe tha se nga zvarritja e finalizimit të objektit po pësojnë edhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë.
“Shkurtimi i orëve të mësimit sidomos në këtë kohë është fatale. Normalisht se ndikon shumë negativisht, por tash kemi pengesa edhe për shkollën e mesme profesionale në realizimin e programit arsimor, faktikisht të kësaj shkolle që ka pasur ambicie dhe ka një staf të shkëlqyeshëm që po punojnë në përgatitjen e gjeneratave të reja me kompetencë. Prandaj në këtë kuptim po pengohen dy shkolla, jo vetëm një”, ka thënë Haliti.
Ministria e Arsimit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me zvarritjen e këtij projekti.
E, përderisa edhe në një numër shkollash mësimi organizohet në tri e katër ndërresa, shumë të tjera në nivel shteti janë mbyllur shkaku i mungesës së nxënësve.