Në një atmosferë festive dhe plot emocion, shkolla “Nazmi Hoxha” sot ka shënuar Ditën e Shkollës me një program të larmishëm artistik, ku nxënësit e shkollës, nën përkujdesjen e mësimdhënësve, sollën para të pranishmëve një varg performancesh kulturore, artistike e edukative.
Ceremonia u nderua me praninë e mysafirëve të shumtë, ndër ta: Drejtori i Arsimit, Dr. Shpend Nuhiu, Shefi Jetmir Jerliu, zyrtarja dhe inspektorja e Ministrisë së Arsimit, Znj. Dashurie Leka Shaqiri, përfaqësues të Policisë së Gjilanit, pjesëtarë të KFOR-it Turk, si dhe familja e patriotit Nazmi Hoxha, emrin e të cilit e mban shkolla.
Pjesë e veçantë e ceremonisë ishte performanca madhështore e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Shqipe “Shota”, të cilët me valltarët, solistët dhe instrumentalistët e tyre sollën një paraqitje të shkëlqyeshme, duke i dhënë ngjyrë, ritëm dhe emocion kësaj dite të rëndësishme për shkollën.
Falënderime të veçanta iu drejtuan edhe Këshillit të Prindërve për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin në organizimin e koktejit për të ftuarit.


