Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë ka përfunduar me sukses projektin e modernizimit të ndriçimit në hapësirat e brendshme dhe të jashtme të shkollës, duke krijuar një ambient më të sigurt, më funksional dhe më të këndshëm për nxënësit dhe stafin mësimor, shkruan AlbanianEducation.net.
Projekti ka përfshirë vendosjen e ndriçimit të ri në klasat mësimore, korridore, hapësira ndihmëse si dhe në oborrin e shkollës, duke përmirësuar ndjeshëm dukshmërinë dhe cilësinë e qëndrimit në këto ambiente.
Sipas njoftimit të shkollës, investimi ka pasur një ndikim të menjëhershëm në përqendrimin dhe mirëqenien e nxënësve gjatë procesit mësimor.
“Ndriçimi adekuat është thelbësor për krijimin e një klime të përshtatshme për mësim dhe zhvillim personal. Përveç ndikimit pozitiv në përqendrim, ai ndikon direkt në sigurinë e nxënësve, veçanërisht gjatë stinëve me ndriçim të dobët natyror,” thuhet në njoftimin e shkollës.
Shkolla “Meto Bajraktari” ka falënderuar Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.
Ky investim vjen si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës shkollore në kryeqytet, me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin arsimor dhe personal të nxënësve.