Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë është përzgjedhur për të zbatuar një projekt të ri inovativ në fushën e teknologjisë dhe komunikimit, të mbështetur nga MASHAV Center – Agjencia Izraelite për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.
Projekti përfshin instalimin e një sistemi modern të zërimit në të gjitha ambientet e shkollës, si dhe ndërtimin e një dhome të dedikuar për realizimin e podkasteve nga nxënësit, një qasje kjo që synon të fuqizojë zërin dhe mendimin kritik të të rinjve.
Zërim gjithëpërfshirës dhe komunikim i avancuar
Sipas njoftimin të shkollës, sistemi i zërimit do të shërbejë për njoftime të menjëhershme, transmetimin e muzikës gjatë pushimeve, si dhe përdorim gjatë aktiviteteve shkollore si garat, ngjarjet kulturore e edukative. Ky investim synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e informacionit dhe të rrisë efikasitetin e komunikimit në komunitetin shkollor.
Dhomë moderne për podkaste – zëri i nxënësve
Një komponent tjetër i rëndësishëm i projektit është edhe krijimi i një hapësire teknologjike për prodhimin e podkasteve. Kjo dhomë do të shërbejë si një platformë për nxënësit që të diskutojnë tema që i preokupojnë, të shprehin mendimet e tyre dhe të zhvillojnë aftësi në fushën e komunikimit, teknologjisë dhe bashkëpunimit.
“Ky projekt është më shumë sesa një përmirësim teknologjik – është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të kompetencave të shekullit XXI te nxënësit tanë”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Investim në përvojën arsimore
Përmes këtij projekti, SHFMU “Meto Bajraktari” bëhet një nga shkollat e para publike në vend që ofron një kombinim të teknologjisë së zërit dhe medias digjitale në funksion të edukimit gjithëpërfshirës.
Mbështetja nga MASHAV Center është vlerësuar si një kontribut i drejtpërdrejtë në përmirësimin e përvojës arsimore dhe në krijimin e një mjedisi më të hapur, bashkëkohor dhe frymëzues për nxënësit.