Shkolla e Mesme e Lartë Ekonomike-Juridike “Kadri Kusari” në Gjakovë ka përmbyllur vitin shkollor me një aktivitet edukativ dhe praktik, duke organizuar një simulim të seancës gjyqësore, aktivitet i planifikuar që në fillim të vitit dhe i realizuar me sukses nga nxënësit dhe stafi arsimor.
Aktiviteti u organizua nga nxënësit e klasës 11/7, të cilët dëshmuan përkushtim, seriozitet dhe përgjegjësi të lartë në përgatitjen dhe zhvillimin e seancës, ndërsa nxënësit e klasës 11/8 kontribuuan me pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre aktiv gjatë realizimit të saj.
Seanca u udhëhoq nga profesoresha Dafina Zhuri dhe kishte për qëllim t’u mundësojë nxënësve të përjetojnë nga afër funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke zhvilluar njëkohësisht mendimin kritik, aftësitë komunikuese dhe kulturën e bashkëpunimit.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtoresha e shkollës, Merita Bokshi, koordinatori i cilësisë, Arben Sufaj, si dhe koordinatorja për karrierë, Dafina Deva, të cilët u vlerësuan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e aktiviteteve dhe iniciativave të nxënësve.



Sipas organizatorëve, suksesi i këtij aktiviteti dëshmon për angazhimin, kreativitetin dhe potencialin e madh të nxënësve të shkollës “Kadri Kusari”, duke e bërë këtë simulim një nga aktivitetet më domethënëse në përmbyllje të vitit shkollor.
Ky aktivitet shënoi përmbylljen e një viti të mbushur me punë, projekte dhe suksese, duke reflektuar përkushtimin e nxënësve dhe stafit për një arsim sa më cilësor dhe praktik.