Shkolla fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytet ka ndërprerë grevën, pasi që nga nesër (e martë) do të mbajë mësim me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta.
Kështu ka njoftuar drejtoria e kësaj shkolle, ndonëse kanë vendosur që të përkrahet greva deri në realizimin e kërkesave, por mësimi të mbahet.
“Në takimin e sotëm të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës, pas diskutimeve u vendos që të përkrahet greva deri në realizimin e kërkesave, por edhe në anën tjetër nga nesër, më 27 nëntor të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ndërrimi i parë fillon mësimin në ora 07:30 deri 11:20 dhe ndriçimi i dytë fillon mësimin në ora 12:00 deri në ora 15:00.
Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga data 25 gusht e po vazhdon ende.
Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre përkundër që Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të fillojë viti shkollor.
Sindikalistët janë duke kërkuar rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.
Shkollat fillore, të mesme dhe kopshtet publike në Kosovë kanë vazhduar grevën dhe nuk kanë filluar vitin shkollor 2022/23.Përkundër grevës, disa institucione arsimore kanë filluar procesin mësimor.