Shkolla “Fehmi Rama”, në Likoc ka shënuar 101 vjetorin e themelimit, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i shkollës:
101 Vjet Traditë, Edukim dhe Krenari
Sot, në një atmosferë solemne dhe festive, shkolla jonë “Fehmi Rama” në Likoc shënoi 101-vjetorin e themelimit, duke e lidhur këtë përvjetor të rëndësishëm me 27-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Fehmi Rama, emrin e të cilit e mban me krenari institucioni ynë.
Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe në Kompleksin e Varrezave në Marinë – Skenderaj, për të vazhduar më pas me një program artistik dhe përkujtimor në ambientet e shkollës. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarët e dëshmorit, ish-mësimdhënës, përfaqësues institucionalë, prindër, nxënës dhe mysafirë të shumtë, duke e bërë këtë ditë edhe më të veçantë.
Kjo shkollë, një ndër më të vjetrat në vend, ka qenë ndër vite vatër e dijes, edukimit dhe unitetit, duke formuar breza të tërë që kanë kontribuar në shoqëri. Sot, ajo vazhdon të mbetet një simbol i vlerave arsimore dhe kombëtare.
Për mua personalisht, kjo ditë ka një domethënie të veçantë. Është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm ta udhëheq këtë institucion, në bankat e të cilit dikur kam qenë nxënëse. Ky rrugëtim nga nxënëse në drejtoreshë e bën këtë përvjetor edhe më emocional dhe më të çmuar për mua.
Falënderojmë përzemërsisht të gjithë ata që kontribuan në organizimin e kësaj dite të veçantë, veçanërisht mësimdhënësit dhe punëtorët e shkollës, të cilët me përkushtim të madh punuan edhe gjatë pushimit për të realizuar një aktivitet dinjitoz.
Lavdi e përjetshme dëshmorit Fehmi Rama!
Gëzuar 101-vjetorin e shkollës “Fehmi Rama”!