Dërrasën e zezë e ndajnë në mes, e po ashtu edhe klasën.
Në këtë mënyrë nxënësit e klasave 3 dhe 5, të shkollës fillore “Fan Noli”, në Broliq të Pejës, zhvillojnë procesin mësimor.
Pavarësisht dallimit në gjeneratë, këta kanë të njëjtën mësuese, për shkak të numrit të vogël të fatosëve. Gjithsej në këtë fshat janë 30 nxënës.
“Në këtë klasë i kam dy paralele, klasën e tretë dhe të pestë. Është shumë e vështirë ta menaxhoj, se i kam dy klasë me kombinim. Kështu me kombinim punoj që 13 vjet, mundohem ta ndaj orën, janë shumë pak por nuk iu mbesim borxh”, tha Ardiana Gashi, mësimdhënëse.
Drejtori i shkollës, Canë Gashi, thotë se të njëjtin problem e kanë edhe në paralelen e ndarë në fshatit Rashiq.
“Në dy paralelet kemi mësimin e kombinuar, klasat 2-4 dhe 3-5, mësojnë me një klasë. Jemi në diskutim me DKA-në për t’i mbyllur e për t’ua siguruar transportin deri tek shkolla amë në Kryshec. Shkolla i plotëson kushtet dhe është ndërtuar para dy vjetëve objekti i ri”, tha Gashi.
Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, nga drejtoria e Arsimit në Pejë, thonë se po planifikojnë mbylljen e dy shkollave.
“Disa shkolla nëpër fshatrat e Pejës planifikohet të mbyllen, përfshirë edhe këto dy paralele të ndara të shkollës “Fan Noli”, në Broliq e Rashiq. Ne si Drejtori e Arsimit, do ua sigurojmë transportin nxënësve të këtyre dy paraleleve deri në shkollën amë në Kryshec të Pejës”, thuhet në përgjigjen e Naser Gegës nga DKA e Pejës.
Shkolla “Fan Noli”, është e ndarë në tri paralele, në fshatin Broliq, Rashiq dhe Kryshec. Ky i fundit nuk rrezikon të mbyllet, pasi ka mjaft nxënës. /ATVlive.tv