Shkolla “Emin Duraku” në Prizren ka dalë me një njoftim për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë dhe parafillore.
Shkolla njofton prindërit se duhet të sjellin edhe dëshminë e vendbanimit dhe atë jo më të vjetër se gjashtë muaj, për të regjistruar fëmijën në shkollë, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimi i shkollës:
VËMENDJE
Prindërit të cilët sjellin fëmijët e tyre për regjistrim pranë shkollës sonë – në mesin e dokumenteve të kërkuara duhet të sjellin edhe dëshminë e vendbanimit dhe atë jo më të vjetër se gjashtë muaj, në të cilën ceket saktë emri i adresës së prindit të fëmijës (babait ose nënës). Pa qenë ky dokument në rregull, aplikimi anulohet.
-Aplikimet me adresa në emra të familjarëve të tjerë të fëmijës, përveç prindërve të tij, janë jovalide;
-Aplikimet me fatura të energjisë elektrike janë jovalide: në thirrjen për regjistrim qartazi përmendet sjellja e Dëshmisë së Vendbanimit;
-Aplikimet me adresa që u përkasin zonimit të shkollave të tjera nuk pranohen; në momentin që komisioni ju drejton për tek shkolla tjetër dhe ju keni ankesa në lidhje me ndarjen zonale duke potencuar që shkolla jonë është më afër vendbanimit tuaj sesa shkolla tjetër, këtë problem e adresoni në DKA.
Në rastin kur emri i adresës suaj nuk përputhet me të dhënat që komisioni i ka siguruar nga DKA, qoftë për shkak të riemërimit të rrugëve apo ndërrimit të banimit, ky është një problem që duhet ta adresoni tek institucionet përkatëse siç është institucioni komunal përkatës, përkatësisht qiradhënësit/agjentët e shitjes tuaj të cilët ju sigurojnë dokumentin e nevojshëm mbi qiramarrjen/ kontratën e shitblerjes që ju ta regjistroni si adresën tuaj të re në institucionin komunal, dhe më pastaj të paraqiteni në shkollë për aplikim. Komisioni nuk merret me problemet teknike të shkaktuara nga palë të tjera.
Deklaratat verbale pa një dokument vërtetues nuk mund të merren parasysh dhe janë ligjerisht të pavlefshme. Për çdo gjë që e pretendoni si të vërtetën tuaj, ju lutemi të e sillni dokumentin zyrtar përkatës si provë.