Në Shkollën “Emin Duraku” në Prizren u përmbyll me sukses një aksion humanitar për mbështetjen e nxënësit me nevoja të veçanta, Adi Skerajt, i cili pritet t’i nënshtrohet një operacioni që do ta ndihmojë të ecë si bashkëmoshatarët e tij, shkruan AlbanianEducation.net.
Gjatë aksionit u mblodhën 8,157.30 euro, të cilat iu dorëzuan familjes së nxënësit.
Kjo nismë tregoi përkushtimin e komunitetit shkollor ndaj solidaritetit dhe humanizmit, duke shndërruar mbledhjen e fondeve jo vetëm në një ndihmë financiare, por edhe në një mbështetje morale për Adin dhe familjen e tij.
Drejtuesit e shkollës shprehën falënderime të sinqerta për të gjithë ata që kontribuan, duke theksuar se bashkëpunimi dhe vlerat humane janë shtylla kryesore e komunitetit tonë.
Njoftimi i plotë:
HUMANIZMI THEKSON VLERAT E DINJITETIT NJERËZOR
Në shkollën tonë u finalizua aksioni për grumbullimin e mjeteve financiare në ndihmë të nxënësit me nevoja të veçanta, Adi Skerajt, i cili pritet t’i nënshtrohet një operacioni për ta ndihmuar të ecë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.
Nga ky aksion u mblodh shuma prej 8157.30 eurosh, e cila iu dorëzua familjes së nxënësit në fjalë.
Ky aksion dëshmoi edhe një herë vlerat e larta të solidaritetit, humanizmit dhe bashkëpunimit në komunitetin tonë, tipare të cilat triumfojë mbi çdo gjë tjetër.
Kontributet e mbledhura simbolizojnë mbështetje përtej asaj financiare: një përkrahje morale dhe shpresë për nxënësin dhe familjen e tij.
Shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij aksioni dhe kontribuan në këtë nismë shpresëdhënëse.
