Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë ka ruajtur me përkushtim një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së arsimit shqiptar: binjakëzimin e vitit 1973 me Shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, binjakëzimi i parë arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan AlbanianEducation.net.
Drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, Visa Osmani, ka njoftuar se pas shumë vitesh pa bashkëpunim konkret, kjo lidhje historike po riaktivizohet, siç pohon me vizion të qartë për ta kthyer atë në bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e edukimit dhe kulturës, duke ndarë përvoja, praktika të mira dhe iniciativa të përbashkëta.
Drejtori Osmani ka bërë të ditur tutje se gjatë vizitës në Tiranë, janë pritur në Ambasadën e Republikës së Kosovës, nga Konsullja Sabrie Grainca.
Postimi i plotë:
Shkolla “Emin Duraku” riaktivizon binjakëzimin e parë arsimor Kosovë–Shqipëri
Shkolla jonë “Emin Duraku” ka ruajtur me përkushtim një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së arsimit shqiptar: binjakëzimin e vitit 1973 me Shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, binjakëzimi i parë arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Pas shumë vitesh pa bashkëpunim konkret, kjo lidhje historike po riaktivizohet pikërisht nga shkolla jonë, me vizion të qartë për ta kthyer atë në bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e edukimit dhe kulturës, duke ndarë përvoja, praktika të mira dhe iniciativa të përbashkëta.
Gjatë vizitës sonë në Tiranë, u pritëm në Ambasadën e Republikës së Kosovës, ku na mirëpriti Konsullja znj. Sabrie Grainca.
Me këtë rast, u ndanë dhurata simbolike për Ambasadorin e Republikës së Kosovës, punime të realizuara nga nxënësit tanë, si shprehje mirënjohjeje dhe angazhimi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në të ardhmen.
Së bashku me stafin e Ambasadës, u pritëm edhe nga Drejtoresha e Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Tiranë, znj. Etilda Muhaj, me të cilën u dakordua zyrtarizimi dhe vazhdimi i bashkëpunimit pas shumë vitesh ndërprerjeje.
Edhe në këtë takim u ndanë dhurata të punuara nga nxënësit tanë, si simbol i miqësisë dhe respektit të ndërsjellë.
Shkolla “Emin Duraku” synon të jetë model bashkëpunimi ndërshkollor, duke ndarë përvoja profesionale dhe duke ndërtuar ura të reja komunikimi mes nxënësve dhe mësimdhënësve të të dyja vendeve.
Falënderim i veçantë shkon për Zyrën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, Ambasadën e Republikës së Kosovës, si dhe për Drejtoreshën e Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, znj. Anita Kadriu, për përkrahjen dhe mbështetjen që këto iniciativa të gjejnë realizim konkret.
Shkolla jonë po e kthen historinë në veprim dhe po e ndërton të ardhmen mbi vlera të përbashkëta arsimore dhe kombëtare.