Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë ka pranuar një donacion të ri për kabinetin e muzikës, i cili përfshin instrumente dhe pajisje muzikore, shkruan AlbanianEducation.net.
Donacioni është siguruar nga Organizata “Duart që Japin Shpresë”, me seli në Gjermani, përmes ish-nxënëses së shkollës, Feta Zeqiri.
Me këtë rast, në ambientet e shkollës është organizuar një pritje solemne, ku drejtori Visar Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të organizatës dhe donatores.




Sipas njoftimit të shkollës, pajisjet e reja synojnë të përmirësojnë kushtet e zhvillimit të mësimit në lëndën e muzikës dhe të krijojnë mundësi shtesë për zhvillimin e talenteve të nxënësve.
Osmani tutje theksoi se ky është një ndër donacionet e shumta që institucioni ka përfituar në vitet e fundit në kuadër të projekteve për avancimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mësimore.
Postimi i plotë:
🎼🎹 Një tjetër ditë e madhe për shkollën tonë!
Kur punohet me përkushtim, transparencë dhe vizion, rezultatet nuk mungojnë.
Sot, ndajmë një tjetër lajm të jashtëzakonshëm për shkollën tonë!
Ish-nxënësja e shkollës sonë, Feta Zeqiri, në emër të Organizatës “Duart që Japin Shpresë” me seli në Gjermani, dhuroi donacionin e radhës për shkollën tonë, duke pajisur kabinetin e muzikës me instrumente dhe pajisje muzikore.
Në një pritje solemne, Drejtori i shkollës, Visar Osmani, shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për organizatën dhe znj. Feta Zeqiri për besimin, përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës sonë.
Sot nuk po pranojmë vetëm pajisje muzikore. Sot po marrim një mesazh të fuqishëm se puna e ndershme, rezultatet dhe përkushtimi ndaj nxënësve vlerësohen kudo.
Shkolla jonë tashmë është shndërruar në një model të suksesit në nivel vendi, një shkollë që ka miq, partnerë dhe mbështetës në Kosovë, Evropë dhe përtej oqeanit. Çdo donacion, çdo partneritet dhe çdo dorë e shtrirë drejt nesh është dëshmi se rruga që kemi zgjedhur është e duhura.
Nga kabineti i logopedisë, pajisjet teknologjike, projektet infrastrukturore, salla sportive, amfiteatri i ardhshëm dhe tani kabineti i muzikës – ne vazhdojmë të ndërtojmë një shkollë ku çdo fëmijë meriton mundësi më të mira.
🙏 Faleminderit Organizatës “Duart që Japin Shpresë” dhe znj. Feta Zeqiri që vazhdojnë të besojnë në ëndrrat e fëmijëve tanë.
Kur punon për fëmijët, Zoti të sjell njerëzit e duhur në rrugë. Dhe ne kemi pasur fatin t’i kemi ata kudo nëpër botë.