Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë është vlerësuar për të katërtin vit radhazi nga Ministria e Arsimit, në kuadër të Javës Kundër Braktisjes së Shkollimit, shkruan AlbanianEducation.net.
Drejtori i shkollës, Visar Osmani, ka bërë të ditur se mirënjohja u nda nga Zv. ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Ademi, si shenjë e njohjes së punës së pandërprerë të stafit dhe qasjes gjithëpërfshirëse që shkolla ofron për të gjitha kategoritë e nxënësve.
Ky vlerësim konsiderohet rezultat i angazhimit në mbështetje individuale, bashkëpunimit me prindër dhe komunitetin, si dhe punës së vazhdueshme në terren për të siguruar që asnjë nxënës të mos mbetet pas në procesin arsimor.

Postimi i tij:
Mirënjohje e veçantë!
Sot, në kuadër të Javës Kundër Braktisjes së Shkollimit, shkolla jonë u nderua me Mirënjohje prej Ministrisë së Arsimit nga Zv. Ministri i Arsimit zArsim Ademipër punën e madhe dhe qasjen gjithëpërfshirëse që zhvillojmë me të gjitha kategoritë e nxënësve , vitin i katërt me radhë që marrim këtë vlerësim të rëndësishëm.
Ky vlerësim pasqyron angazhimin tonë të përditshëm në mbështetjen individuale, vizitat në terren, bashkëpunimin me prindër, punën me komunitetin dhe krijimin e hapësirave ku secili nxënës ndjehet i përfshirë dhe i përkrahur.
Faleminderit stafit të shkollës, prindërve dhe partnerëve tanë që qëndrojnë çdo ditë pranë nxënësve dhe kontribuojnë në një shkollë ku askush nuk mbetet mbrapa.
Bashkë vazhdojmë të ndërtojmë modele suksesi dhe zhvillim për çdo fëmijë.