Në prag të festave të fundvitit, Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë ka dëshmuar edhe një herë se solidariteti dhe humanizmi janë pjesë e pandashme e misionit të saj edukativ.
Drejtori i shkollës, Visar Osmani, së bashku me një pjesë të stafit arsimor dhe në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare ADRA, kanë vizituar Spitalin Pediatrik, përkatësisht Repartin e Pulmologjisë, ku kanë shpërndarë pako dhuratash për fëmijët që po marrin trajtim mjekësor.
Ky aktivitet shënon zgjerimin e bashkëpunimit të shkollës me organizatën ADRA, e cila fillimisht ishte përfshirë në projekte brenda shkollave, ndërsa tani po e shtrin mbështetjen edhe në institucione të tjera publike, aty ku nevoja për përkrahje është më e madhe.




Njoftimi i shkollës:
PËR NDER TË FESTAVE TË FUNDVITIT SOLIDARITET QË SHKON PËRTEJ SHKOLLËS
Për nder të festave të fundvitit, sot, së bashku me një pjesë të stafit të shkollës sonë dhe në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare ADRA, vizituam Spitalin Pediatrik Repartin e Pulmologjisë, duke dërguar pako dhuratash për fëmijët që po trajtohen aty.
Organizatën ADRA fillimisht e sollëm në shkollat tona, ndërsa sot, këtë bashkëpunim po e shtrijmë edhe në institucione të tjera, përfshirë spitalet, aty ku nevoja për përkrahje është edhe më e madhe.
U pritëm ngrohtësisht nga stafi udhëheqës dhe mjekësor i repartit, ndërsa gëzimi i fëmijëve ishte mesazhi më i bukur i festave.
Për vitin e dytë radhazi, shkolla jonë, në partneritet me organizata ndërkombëtare, dëshmon se humanizmi nuk ka kufij institucionalë.
Në këto ditë feste, po e dëshmojmë se kur shkolla ka vizion dhe zemër, ajo bëhet zë i solidaritetit për gjithë shoqërinë.
Faleminderit ADRA-s, stafit mjekësor dhe çdo anëtari të stafit tonë që ishte pjesë e kësaj nisme humane.