Shkolla fillore “Emin Duraku” në Prishtinë ka realizuar një vizitë humanitare në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke shpërndarë pako dhuratash për fëmijët e shtrirë në këtë repart.
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë dhe me përkrahjen e organizatës gjermane ADRA Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm humanitar që kjo shkollë ka ndërtuar ndër vite.
Në vizitë mori pjesë edhe Drejtori i Arsimit, Samir Shahini, së bashku me stafin e shkollës.
Sipas njoftimit të shkollës, kjo iniciativë po shënon zgjerimin e aktiviteteve humanitare edhe jashtë mureve të institucionit arsimor, si pjesë e vizionit dhe iniciativave të drejtorit Visar Osmani, në bashkëpunim me partnerët e shkollës, përfshirë edhe Milan Bogojević.




Pas vizitës së realizuar më herët në Klinikën e Pulmologjisë, kjo vizitë në Repartin e Onkologjisë shënon përmbylljen e ciklit të aktiviteteve humanitare për këtë periudhë, duke u fokusuar në repartet ku nevoja për mbështetje njerëzore është më e madhe.
Përfaqësuesit e shkollës dhe Drejtorisë së Arsimit u pritën nga stafi drejtues i Klinikës së Pediatrisë, të cilëve iu shpreh mirënjohje për përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e treguar çdo ditë ndaj fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Nga shkolla “Emin Duraku” u theksua se shkolla nuk është vetëm institucion arsimor, por edhe shembull i solidaritetit, përgjegjësisë shoqërore dhe humanizmit, duke mbyllur vitin kalendarik me një mesazh të fortë shprese dhe bashkëpunimi.