Kapiten Shkëlqim Raci, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera Kursin e Karrierës së Kapitenit për Logjistikë në Universitetin e Mbështetjes së Ushtrisë (Army Sustainment University), në Fort Lee, Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për performancën e tij të jashtëzakonshme akademike dhe profesionale, Kapiten Raci është nderuar me çmimin “Distinguished International Honor Graduate”, një nga vlerësimet më të larta që u jepet pjesëmarrësve ndërkombëtarë në këtë program të avancuar ushtarak. Ky çmim dëshmon përkushtimin, disiplinën dhe nivelin e lartë të përgatitjes që ai ka shfaqur gjatë gjithë trajnimit.
Ky sukses nuk është vetëm arritje personale për Kapiten Racin, por një pasqyrim i vlerave dhe profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ai ka ngritur lart emrin e FSK-së dhe të Kosovës, duke forcuar më tej reputacionin e vendit në raportet e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Një arritje e tillë shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe në thellimin e partneriteteve strategjike të Kosovës me vendet aleate.