E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Shifra shqetësuese: Mbi 500 incidente në shkollat e Kosovës gjatë 2022-tës

- Advertisement1-

Mbi 500 incidente në objekte shkollore dhe përreth tyre janë raportuar në Polici gjatë vitit 2022. Megjithëkëtë, institucionet arsimore por edhe prindërit rrallë i raportojnë fenomenet negative që përballen nxënësit. Bullizmi nuk trajtohet si problem, e ngacmimet e haraçi mes nxënësve tentohen të fshihen brenda mureve të shkollave.

Katërmbëdhjetë nxënës në shkollën e mesme të lartë “28 Nëntori” në Prishtinë, janë suspenduar për shkak të mungesave në orë mësimore si dhe për rrahje e kërcënime të ushtruar ndaj bashkëmoshatarëve të tyre.

- Advertisement -

Përveç rrahjeve e kërcënimeve, nxënësit nga shkolla të ndryshme në kryeqytet, kanë treguar në kushte anonimiteti për KOHËN se përballen në suaza ditore me dukuri si bullizmi, ngacmimet seksuale e haraçi, por që nuk raportohen.

Një 15-vjeçar ka treguar se fillimi i tij në një nga gjimnazet në Prishtinë ka qenë i vështirë për të. Ai është ballafaquar me kërcënime nga nxënësit e vitit të dytë e të tretë, të cilët kanë kërkuar vazhdimisht nga ai që t’u u jap para gjatë pushimit mes orëve mësimore. Këtë rast, ai asnjëherë nuk e raportoi te menaxhmenti i shkollës, pasi kishte pak shpresë se problemi i tij do të trajtohej seriozisht.

Nxënësja në shkollën fillore “Faik Konica” si dhe kryetarja e Asamblesë Komunale të Fëmijëve të Prishtinës, Verda Muçaj, ka thënë se është e shqetësuar që disa institucione arsimore nuk ofrojnë siguri për kohanikët e saj.

“Këto raste e dukuri jashtëzakonisht janë shqetësuese jo vetëm për ne si nxënës, por besoj edhe për ne si shoqëri, po sa janë prezentë në shkolla nuk mund të them me statistika të sakta, ngase unë si kryetare e AKP-së vetëm sa e kam marrë mandatin. Por për diçka që jemi shumë dakord me atë çka po dëgjojmë në media, po e shohim se këto raste po shkojnë në rritje”, ka thënë ajo.

E për ngacmimet seksuale e haraçin mes nxënësve janë të njoftuar edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria ka njoftuar se është duke punuar në vazhdimësi në trajtimin e dukurive negative që e dëmtojnë zhvillimin e potencialit të fëmijëve.

- Advertisement -rrrrrrr

“Janë realizuar një mori takimesh në rajone, gjashtë tryeza në komunat: Klinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë ku janë diskutuar aspektet braktisjes dhe të dhunës në shkolla, përgjithësisht konteksti i mbrojtjes së fëmijës”, thuhet në përgjigje.

Për të ndihmuar në parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla, MASHTI ka bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin e Psikologjisë dhe Institutin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës për ta ndihmuar forcimin e shërbimeve përkrahëse dhe aktiviteteve që i bëjnë shkollat më të sigurta e më nxitëse për mirëqenie.

Sipas të dhënave të Policisë, në vitin 2022 janë raportuar 539 incidente në objekte shkollore dhe përreth tyre në nivel vendi. Rastet më të shpeshta të raportuara sipas të dhënave të policisë kanë të bëjnë me posedim të armës së zjarrit, dëmtim të pronës e lëndim trupor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka treguar se sa raste të tilla i ka trajtuar me arsyetimin se nuk ka data bazë të specifikuar.

Të dhënat e policisë janë kryesisht për incidentet përreth objekteve shkollore, ndërsa ka dyshime se rastet brenda institucioneve arsimore, në të shumtën e herëve nuk raportohen. Në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim, ku të gjitha shkollat janë të obliguara t’i raportojnë incidentet brenda hapësirave të tyre, gjatë vitit të kaluar shkollor vetëm 39 raste janë procesuar. Nga to, tetë janë për dhunë psikologjike, e një prej tyre është për abuzim seksual.

Labinot Salihu, ish-këshilltar për sigurinë në shkolla të Prishtinës, ka thënë se përveç se tentohet të fshehën rastet e dhunës, ato psikologjike nuk trajtohen fare.

“Çështjet e dhunës, sidomos ato psikologjike nuk trajtohen si problematike, thonë ngucen fëmijët gjithkund e janë çështje që ndodhin gjithkund në botë, që është shumë problem i madh, sepse në këtë dimension shkolla ka kapacitete për të ndërhyrë. Dimensioni i dytë është se shkollat kanë fituar përshtypje që nëse i raportojnë do të dalin si shkollë keq”, ka thënë Salihu.

Se ekziston tendenca e fshehjes së rasteve, është e njoftuar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila para nëntë muaj kishte thënë para deputetëve se drejtorët e shkollave frikësohen se i cenohet imazhi institucionit arsimor.

“Për fat të keq, ende ekziston tendenca që të fshihen rastet e tilla me frikën se raportimi i rasteve do të bëjë përhapje të një paragjykimi se shkollat nuk janë aq të mira. Ndonëse janë bërë hapa pozitivë në raport me raportimin të rasteve të dhunës, në vitin shkollor 2018-2019 kemi pasur gjithsej 18 raste të raportuara, në vitin 2020-2021, 15 raste të raportuara. Gjatë vitit 2021-2022, në këtë sistem janë raportuar 20 raste”, ka thënë ajo.

Si masë stimuluese për raportimin, Ministria ka vendosur t’i shpërblejë shkollat që raportojnë rastet e dhunës.

Përveç stafit shkollor, edhe prindërit hezitojnë t’i raportojnë rastet e dhunës. Sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, të pakta janë raportimet konkrete për dukuritë negative që nxënësit ballafaqohen.

Edhe me prindërit që ka kontaktuar KOHA, përkundër që ishin të njoftuar me fenomenet negative, kanë hezituar të flasin publikisht.

E sipas Salihut, nuk ekzistojnë mekanizmat institucionalë që trajtojnë vetëm çështjet e sigurisë në shkolla.

“Paralelisht janë hartuar disa dokumente, të cilat kanë për qëllim trajtimin e çështjeve të sigurisë në shkolla, në formën e platformave të sigurisë, mirëpo ato dokumente nuk kanë gjetur zbatim për disa arsye, nuk kanë pasur kapacitete të mbikëqyrjes”, ka thënë ajo.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, nuk ka më një këshilltar për sigurinë në shkolla, siç e kishte më parë.

E, ministria e Arsimit ka formuar një Forum Nacional, i cili është për koordinimin e institucioneve, por jo edhe për mbikëqyrjen e rasteve dhe raportimin e tyre. /KOHA/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Nis ndërtimi i çerdhes në fshatin Bellanicë të Malishevës

Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, ka njoftuar se ka nisur ndërtimi i...

Nga Evans Drishti: “Simbolika e një dhurate” për nxënësit

Disa ditë më parë, mësuesja kishte bërë një bisedë në klasë në lidhje me...

Pensionohet mësimdhënësi Rizah Hajdari nga Drenasi

Është pensionuar mësimdhënësi Rizah Hajdari nga Drenasi, shkruan AlbanianEducation.net. Njoftimi: Fjalë mirënjohjeje për mësuesin Rizah Hajdari...

Përurohet shkolla e re në Dragobil të Malishevës

Në Komunën e Malishevës u shënua një ditë e rëndësishme për arsimin, me përurimin...