Arsimtarja Sheribane Xheladini, e lindur më 13 maj 1962, ka nisur rrugëtimin e saj në shkollën “Shkëndija” më 2 shtator 1992.
Për më shumë se tri dekada, ajo ka qenë një shtyllë e fortë e institucionit tonë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Si mësimdhënëse e biologjisë, ajo ka arritur të frymëzojë dhe të ngjallë kuriozitetin shkencor tek nxënësit, duke i pajisur ata me njohuri të thella dhe të qëndrueshme.
Përkushtimi dhe metoda e saj e mësimdhënies kanë bërë që, kudo që shkojnë nxënësit tanë në shkollat e mesme, të njihen menjëherë për njohuritë e tyre të shkëlqyera në biologji, aq sa shpesh nxënësit të cilët kalojnë në shkolla të mesme dëgjojmë nga ta kur thonë se i etiketojnë me frazën: “A jeni ju biologët e Hajvalisë?” – një vlerësim që flet vetë për cilësinë e punës së saj.
Përveç profesionalizmit të lartë, Sheribane Xheladini është e njohur për punën e saj të palodhshme, korrektësinë dhe përkushtimin maksimal ndaj çdo detyre. Ajo nuk është vetëm një mësimdhënëse e shkëlqyer, por edhe një mentore e dashur për nxënësit dhe një kolege e respektuar në mesin e stafit.
Drejtoresha e shkollës “Shkëndija”, Minire Berisha, e përgëzon arsimtaren Sheribane Xheladini për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe kontributin e pandalshëm në arsim.
Përvoja dhe angazhimi i saj janë një model frymëzimi për të gjithë, dhe shkolla jonë është krenare që ka një mësuese të tillë në gjirin e saj. Me mirënjohje të thellë, i urojmë shëndet dhe suksese të mëtejshme në rrugën e saj të ndritur arsimore!
©Albanian Education – Të gjitha të drejtat e rezervuara