Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës shënoi 65 vjet ekzistence me Konferencën Ndërkombëtare „Shkencat Shoqërore e Humane dhe Ndryshimi”.
Institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosovë që i parapriu krijimit të Universitetit të Prishtinës, me këtë konferencë shënoi historinë e tij të ndritshme dhe vuri bazat se nga duhet të shkojnë e si të zhvillohen tutje shkencat humane e shoqërore në kohën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të hovshme teknologjike.
Fakulteti Filozofik u konstatua se duhet të jetë promotor i vyeshëm i mendimit kritik në Universitetin e Prishtinës, derisa ai u cilësua edhe si njëra nga shtyllat e shtetësisë së Kosovës.
U përmend edhe nisma e sotme në Senat për nderimin e ish-rektorit Ejup Statovci dhe aktivistit dhe ish-profesorit të FShMN-së, prof. Eshref Ademaj.
Gjatë kësaj ngjarjeje, të pranishmëve iu drejtuan rektori i UP-së dhe profesori shumëvjeçar i këtij fakulteti, prof. Arben Hajrullahu, dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi dhe rektori i Universitetit të Tetovës, prof. Jusuf Zejneli. Konferenca, pas fjalëve përshëndetëse, vazhdoi me pjesën e saj tematike ku prezantimet e tyre i bënë akademikët e njohur prof. Rexhep Ismajli e prof. Muhamedin Kullashi.


Pastaj një pikë artistike në klarinet dhe piano u ekzekutua nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, Nezahate Shala-Zeka e Astrit Mustafa, ndërsa rektori i Universitetit të Tetovës ia dhuroi rektorit të UP-së një pllakë me figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Fakulteti Filozofik nderoi me mirënjohje edhe ish-profesorët e tij dhe dy nga liderët e jetës akademike, politike e shoqërore kosovare, Fehmi Aganin dhe Ukshin Hoti.
Profesorë nga universitetet e rajonit, Evropës, shteteve tjera dhe Universitetit të Prishtinës me diskutimet, idetë dhe prezantimet në katër panele me tema të ndryshme edhe të enjten do të shfaqin pikëpamjet e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm të mendimit filozofik, politik e shoqëror.