Vlerat e disa frutave dhe perimeve që përdorim më shpesh në jetën tonë të përditshme
KARROTA: Vlera e karotave konsiston në një numër të madh përbërësish esencialë që ndihmojnë në rritjen dhe ushqyerjen e trupit tonë. Ajo është e pasur në beta-karotenin, i cili konvertohet në organizëm në vitaminën A. Ajo përmban gjithashtu vitaminë C, B, E dhe K. Është e pasur në kripëra minerale si magnez dhe kalium. Ka gjithashtu hekur, bakër, zink, kalcium, selenium, proteina, karbohidrate dhe biotinë. Çdo 100 gram karrota ka 0.6 gr proteina, 7.6 gr karbohidrate, 30 mg kalcium, 0.3 gr yndyra dhe 0.6 mg hekur. Beta-karoteni është një antioksidant i fuqishëm që konvertohet në vitaminë A, e cila është shumë e shëndetshme për sytë. Defiçiti në vitaminë A jep një dobësim të shikimit. Një gotë me lëng të freskët karrotash në ditë jep efekte shumë të mira kundër lodhjes dhe stresit.
DOMATJA: Një gotë lëng domatesh jo vetëm që ka një shije shumë të këndshme, por është dhe një ushqim i klasit të parë dhe një bar i sigurt. Ndonëse gabimisht futet në ushqimet acide, ajo është e pasur me substance alkaline, të cilat kalojnë të gjitha në lëng gjatë shtrydhjes. Prandaj ky lëng është antiacid, ai pengon proceset e kalbëzimit. Lëngu i saj përmban vitamina A, B dhe C, ul nivelin e uresë në gjak, ul viskozitetin e gjakut, rrit elasticitetin e enëve të gjakut dhe ushtron një veprim rigjenerues e ripërtëritës.
LAKRA: Ndihmon në ripërtëritjen e gjakut dhe të qelizave. Edhe njerëzit që vuajnë nga zorrët dhe nuk e durojnë dot lakrën e zier, në lëngun e saj do të gjejnë një element mjaft të vlefshëm. Zierja, ndër të tjera, shkatërron një faktor mbrojtës të mukozave të tretjes, që gjendet te lakra dhe që është quajtur vitamina U. Lakra është shumë e pasur me klorofil. Fletët e gjelbra janë më të rëndësishme dhe ndihmojnë në formimin e hemoglobinës së rruazave të kuqe të gjakut. Veç kësaj lakra përmban sasi të mëdha kalciumi, squfuri, jodi, arseniku, magnez, kalium, vitamina A, B, C etj. Lëngu i lakrës ndihmon në nxjerrjen e urinës në sajë të një substance që vepron mbi përshkueshmërinë e enëve të gjakut.
MOLLA: Vlerat e saj ushqimore janë të padiskutueshme.
Ajo përmban një numër të madh kripërash minerale, vitamina e mikroelementë. Lëngu i mollës shërben si dezinfektues i zorrëve dhe tonizues i stomakut, në të njëjtën kohë është një burim energjie për organizmin. Me lëngun e freskët të mollëve ne marrim kalcium, kalium, oksid hekuri, magnez, klor e shumë përbërës të tjerë.
LIMONI: Në ditët e sotme kur sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut kanë arritur shpeshtësinë më të madhe, lëngu i limonit është mjaft efikas. Ai është një substance pastruese e shkëlqyer, ai ul viskozitetin (trashësinë) e gjakut, e pastron atë si edhe forcon enët e gjakut dhe u jep atyre elasticitet. Për këtë arsye lëngu i limonit mund të hidhet mjaft mire në përzierje apo lëngje të tjera (lëng molle, karrote, etj).
Mushmolla: Është në të njëjtën kohë burim energjie dhe rregullatore e funksionit të zorrëve. Duke qenë e pasur në kripëra alkaline e në vitaminë B, ajo kontribuon në ushqyerjen e indeve dhe në rregullimin e ekuilibrit nervor.