Në oborrin e shkollës “Hamit Sejdiu” në Kërpimeh të Podujevës është ndërtuar një klasë verore e veçantë, duke përdorur paleta druri të ricikluara, shkruan AlbanianEducation.net.
Kjo hapësirë funksionale është krijuar me përkushtim dhe ide kreative nga stafi dhe nxënësit e shkollës, duke ofruar një ambient të hapur për zhvillimin e mësimeve në natyrë.
Ky projekt shërben si shembull i mirëfilltë i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve, si dhe i rëndësisë së kujdesit për ambientin. Në të njëjtën kohë, ai dëshmon se materialet e përdorura mund të marrin jetë të re përmes krijimtarisë dhe punës së përbashkët.
Postimi i shkollës:
Klasa jonë verore
Në oborrin e shkollës sonë kemi punuar me përkushtim për të ndërtuar një klasë verore të veçantë, duke përdorur paleta druri të ricikluara. Kjo hapësirë e re është jo vetëm funksionale për zhvillimin e mësimeve në natyrë, por njëkohësisht edhe shembull se si riciklimi dhe krijimtaria mund të shndërrojnë materialet e përdorura në diçka të dobishme dhe të bukur.
Ky projekt na mëson rëndësinë e kujdesit për ambientin, të përdorimit të mençur të burimeve dhe të zhvillimit të ideve inovative që sjellin vlerë për komunitetin tonë shkollor.
Një falënderim i veçantë shkon për Drejtorinë Komunale të Arsimit për sigurimin e mjeteve të nevojshme për realizimin e këtij projekti dhe prindin Arben Xhemajli, i cili jo vetëm që na siguroi paletat, por gjithashtu u kujdes edhe për transportin e tyre deri në oborrin e shkollës!