Një shembull i rrallë humanizmi dhe lidhjeje të fortë me vendlindjen vjen nga dy ish-nxënës të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Ostros – Brahim Subrahimi dhe Medin Ardoli, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke mos harruar rrënjët e tyre, Subrahimi dhe Ardoli kanë siguruar fondet e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e mëngjesit për të gjithë vitin shkollor, për të gjithë parashkollorët, nxënësit dhe punonjësit e shkollës – gjithsej 88 persona.
Drejtori i shkollës, Sami Doda, thekson se menyja e përditshme është e larmishme dhe e përshtatur për nevojat ushqimore të fëmijëve, duke kontribuar kështu në një ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar.
“Në emër të nxënësve, prindërve dhe të gjithë kolektivit shkollor, shpreh mirënjohjen më të thellë për Subrahimin dhe Ardolin. Ky veprim është jo vetëm shembull i humanizmit, por edhe një mesazh i fortë për fëmijët tanë – se komuniteti nuk harron kurrë anëtarët e vet, pavarësisht se ku ndodhen,” – u shpreh drejtori Dod, shkruan barinfo, transmeton Ulqini Online.
Vetë donatorët, në një mesazh të shkurtër dërguar shkollës, theksuan se për ta ishte nder të ndihmonin vendin e tyre të origjinës dhe se do të jenë gjithmonë pranë bashkëvendasve të tyre, sa herë që të kenë mundësi.
“Jemi mirënjohës për shkollën që na arsimoi. Ndihma jonë është një kontribut i vogël për një qëllim të madh – që çdo fëmijë të ketë një fëmijëri të lumtur dhe të shëndetshme,” – deklaruan Subrahimi dhe Ardoli.
Ky gjest fisnik i dy bashkëfshatarëve, që dikur ulen në bankat e kësaj shkolle, është dëshmi e fuqishme e lidhjes së diasporës me vendlindjen dhe rëndësisë së investimit në arsim, për të mirën e brezave të rinj.