Është emëruar mësues i gjuhës shqipe nga organet arsimore të Kosovës në vitin 1987. Prej atëherë, mësuesi i parë shqiptar në Austri, Shefqet Gashi, ka punuar pa ndërprerë në profesionin fisnik të mësuesit.
Shefqet Gashi lindi në fshatin Llapushnik, komuna e Drenasit. Kreu Shkollën Normale, Studimet në Universitetin e Sarajevës. Pas kryerjes së kursit fillestar në gjuhën gjermane, në vitin 1987, organet arsimore të Kosovës e pranojnë në konkurs për arsimtar në botën e jashtme, pikërisht në Vjenë, duke qenë mësuesi i parë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe që nga shtatori i vitit 1987. Në këtë intervistë për “albinfo.at” ai flet për jetën dhe veprimtarinë e tij në Austri si dhe për fillimet e mësimit plotësues para 33 vjetëve.
Si ishin rrethanat e mësimit shqip kur ju filluat punën në Austri?
Fillimi i mësimit plotësues në diasporë ishte një sfidë që nuk ishte e lehtë të kalohet. Atë kohë kishte një marrëveshje mes organeve arsimore të dy shteteve për mësimin e gjuhës amtare të fëmijëve të punëtorëve të ardhur nga trevat shqiptare jashtë Shqipërisë, kështu që pas konkurrimit u vendos që unë të jem mësues për gjuhën shqipe në Austri.
Mësimi zhvillohej sipas plan programeve të Kosovës (atëherë Krahina Autonome e Kosovës). Në fillim të punës me nxënës pati vështirësi të shumta si në evidentimin, regjistrimin, bindjen e prindërve për dobinë e mësimit të gjuhës shqipe. Kishte kundërshtime nga njerëz të caktuar brenda shkollave duke proklamuar gjuhën serbo-kroate si gjuhë shteti të cilën fëmijët shqiptarë nuk e dinin. Në këtë propagandë kundër mësimit shqip më të zëshmit ishin mësueset/it serb të cilët ishin punësuar që më parë në shumë shkolla. Pas shumë përpjekjeve tona u ndryshua koncepti i gjuhës shtetërore në gjuhën amtare, e cila ishte e domosdoshme të mësohet.
A kishte mësim shqip kur ju erdhët në Austri?
Më parë kishte pasur disa grupe të vogla mësimore, ato nuk ishin të organizuara dhe ishin jo zyrtare, nuk kishin planprograme të Austrisë e as të Kosovës. Mësimi mbahej jashtë lokaleve të shkollave publike, në lokalet e klubeve shqiptare. Kështu, nuk kishte shkollë shqipe të organizuar dhe me traditë pune.
Si vepruat ju në fillimet tuaja si mësues i parë, si reagoi komuniteti shqiptar këtu, a kishit përkrahje?
Puna e parë ishte regjistrimi i nxënësve duhej t’i bindnim për të dhënë pëlqimin e tyre për fëmijët që të mësojnë shqip. Kështu formuam me sukses grupet e para mësimore. Në këtë veprimtari me rëndësi ndihmuan edhe disa veprimtarë arsimdashës si: Vesel Ibishi, Demë Zenuni, Ramë Syla, Avdi Meka etj. Ne vazhdimisht koordinonim punët me inspektorin përkatës z.Manfred Pintertz dhe znj. Mag.Elfie Fleck, drejtuese e sektorit për gjuhët amtare të Austrisë.
Cila ishe sfida juaj e veçantë profesionale, a mund të veçoni?
Njëra nga më të theksuarat ishte mungesa e plan-programeve dhe teksteve mësimore. Nuk kishte plan program aktual dhe tekste, por duhej bërë zgjedhjen e njësive mësimore vet nga arsimtari sipas niveleve të moshës dhe aftësive psiko-fizike të nxënësve. Për të qenë të hapur dhe për informim të prindërve u mundësua vizita e prindërve në mësim për t’u informuar hollësisht mbi materien, format e mënyrën mësimore. Kjo e shtoi besimin e prindërve në rëndësinë e mësimit shqip dhe rezultoi me shtimin e vazhdueshëm të numrit të nxënësve frekuentues. Ishte një përjetim i veçantë kur ish nxënësit e mi, tani prindër, sillnin fëmijët e tyre për mësim në gjuhën shqipe dhe dëgjoja: “Mësues, dëshirojmë që edhe fëmijët tanë t’i mësosh në gjuhën shqipe dhe t’i edukosh në frymën kombëtare”.
Kur ishte shkëputja nga varësia e sistemit të mëparshëm, i cili kishte marrëdhënie me disa shtete të Perëndimit në mësimin e gjuhës amtare?
Në vitet 1990/91 ndodhën ndryshime të mëdha, thyerja e sistemit dhe sulmi që i bëhej shkollës shqipe në Kosovë, si rrjedhojë pati shkëputjen me sistemin arsimor komunist dhe nxjerrjen e plan programeve mësimore të reja falë punës së drejtorisë së arsimit të Republikës së Kosovës. Atëherë rekomanduan aplikimin e plan programeve mësimore sipas Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar në Zvicër dhe Gjermani. Në këtë kohë, filloi botimi i disa teksteve mësimore me të cilat u punua deri në vitin 1995. Për furnizim me tekste ka ndihmuar Ambasada e Shqipërisë në Vjenë.
Ju ishit mësuesi i parë në Austri. Kur do t’ ju bashkoheshin kolege/ë të tjerë, në cilat vite dhe kush organizoi regjistrimin dhe hapjen e paraleleve të tjera në Austri?
Viti 1993 sjell një epokë të fuqishme të themelimit të klasave me nxënës shqiptarë, vit kur formohet Këshilli Koordinues për Organizimin e Mësimit Plotësues në Austri nën drejtimin e Dr.Xhevat Hasanit. Ky këshill regjistroi nxënës në gjithë Austrinë, kjo u mirëprit nga organet austriake dhe u pranuan shumë mësues shqiptarë. U themelua Shoqata e Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” e cila u regjistrua në Prishtinë. Në Vjenë e rrethinë u organizuan kuizet e diturisë me moton: “Ta njohim Atdheun që ta duam më shumë” dhe aktivitete shënjuese të Ditës së Flamurit, ku pjesa më tërheqëse e për publikun ishte kori i nxënësve të cilin e drejtoja.
Cili ishte momenti kur ndiheshit i lumtur me punën tuaj me nxënës, a mund të veçoni diç?
Ka shumë momente, por do të veçoja sukseset e nxënësve shqiptarë në garat e nxënësve ku morën pjesë kombe tjera që jetojnë Vjenë, aty afirmohej gjuha shqipe dhe kultura shqiptare. Kemi marr pjesë në Raimund Theater, në Kuartetin Muzeal dhe e theksoj në veçanti prezantimin shqip me këngë korale në Televizionin Publik Austriak (ORF)”.
Mesazhi juaj, për fund
Pa një qasje gjithëkombëtare nuk do të ruhet gjuha shqipe në diasporë, si pjesë e kombit shqiptar. Gjuha shqipe e ndihmon suksesin në gjuhen e shkollës. Prindër, mos lejoni humbjen e gjuhës shqipe, humbjen e identitetit kombëtar. Regjistroni fëmijët në mesmin plotësues i cili e ndihmon suksesin në gjuhën e shkollës.