Këshilltarja politike dhe shefja e kabinetit në Ministrinë e Arsimit e udhëhequr nga ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, është rrugës për t’u punësuar në këtë ministri edhe me një pozitë tjetër. Bora Shpuza Kasapolli është radhitur në listën e kandidatëve të aprovuar për staf civil.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes sistemit për menaxhimin e burimeve njerëzore, ka hapur konkurs për një pozitë pune.
Pozita e punës është “Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun”.
Në listën e aplikantëve të aprovuar janë 18 kandidatë.
E dyta në listë është kandidatja Bora Shpuza Kasapolli.
Bora Shpuza e cila ka kandiduar për pozitë pune si zyrtare civile në ministrinë e Arsimit, është njëkohësisht edhe këshilltare politike dhe shefe e kabinetit të Ministres Nagavci.
Kështu figuron ende në faqen e Ministrisë së Arsimit.
Bora Shpuza, Këshilltare dhe shefe e kabinetit të Ministres publikon foto edhe në prani të Arbërie Nagavcit.
Në një foto në vitin 2024, të ndarë nga vetë Shpuza, shihet krah Nagavcit.
Bashkangjitur fotos ajo ka shkruar “Ekipi, mashti”.
Çka thotë ligji?
Ligji nuk e lejon që një këshilltar politik gjatë mandatit të tij të aplikojë për ndonjë pozitë në shërbimin civil.
Aty thuhet se një këshilltari politik nuk ka drejtë të punësohet në administratë pa kaluar dy vite pas përfundimit të mandatit.
Në të kundërtën një veprim i tillë konsiderohet si konflikt i interesit.
“Zyrtari i Lartë nuk ka të drejt “të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”, thuhet Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, neni 18. /Marrë nga Insaderi.org