Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, thotë se që nga viti 2022 nuk kanë pasur takime të frytshme me Ministrinë e Arsimit dhe veçanërisht me ministren Nagavci.
Ajo thotë nga ajo kohë kanë pasur një takim vetëm 15 minutash me Nagavcin.
“Me Ministrinë e Arsimit dhe në veçanti me ministren Nagavci që nga viti 2022 kemi pasur një takim kur ka qenë nënkryetari i sindikatës së mësuesve të SHBA-së, edhe atë një takim veç formal 15-minutësh, pa pasur mundësi t’i paraqesim kërkesat e punëtorëve të arsimit. Dhe kemi pasur një takim në ditën kur është mbajtur protesta”.
Ajo tutje shton se kërkesat për takim i bëjnë për të gjendiur zgjidhje.
“Përndryshe, për kërkesat që ne në vazhdimësi i bëjmë për t’u ulur dhe bashkëbiseduar me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe kërkesave që i kanë punëtorët e arsimit, ne nga viti 2022 nuk kemi pasur takim të tillë”, tregon Shala. /KosovaPress.