Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka bërë një thirrje publike lidhur me rëndësinë e arsimit në prag të proceseve zgjedhore, duke theksuar se kjo fushë nuk duhet të trajtohet si temë premtimesh të përsëritura, por si prioritet me reforma të matshme.
Në deklaratën e tij, Shahini thekson se çdo vit pa ndryshime reale në sistemin arsimor përbën humbje të drejtpërdrejtë për një gjeneratë të tërë dhe, sipas tij, edhe për të ardhmen e shtetit në përgjithësi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që para se të vendosin votën e tyre, të mos ndikohen nga fushatat apo deklaratat e momentit, por të analizojnë programet konkrete të subjekteve politike për arsimin.
Sipas tij, është me rëndësi të shihet qartë se çfarë propozohet për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies, mbështetjen e mësimdhënësve, forcimin e disiplinës në shkolla, digjitalizimin e sistemit dhe orientimin profesional të të rinjve.
Postimi i tij i plotë:
Për zgjedhjet dhe arsimin
Arsimi nuk mund të mbetet më temë e premtimeve të përsëritura. Çdo vit pa reforma reale në shkolla është humbje e drejtpërdrejtë për një gjeneratë të tërë dhe për vetë të ardhmen e shtetit.
Para se të votoni, mos u ndikoni nga deklaratat apo fushatat e momentit. Shikoni me kujdes programet konkrete për arsimin: çfarë propozohet për cilësinë e mësimdhënies e nxënies në shkollat tona, për mbështetjen ndaj mësimdhënësve, për disiplinën, për digjitalizimin dhe për orientimin profesional të të rinjve. Vendimet në arsim janë ato që përcaktojnë të ardhmen, jo sloganet.
Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia politike. Ata që kanë pasur mundësi të ndryshojnë sistemin dhe nuk e kanë bërë, nuk duhet të shpërblehen me besim të pakushtëzuar. Vota duhet të bazohet në rezultate, jo në retorikë.
Një votë të menduar, të informuar dhe kur është e nevojshme, edhe ndëshkuese. Sepse arsimi i dobët sot, është ekonomi e dobët dhe shoqëri e pasigurt nesër.