Në qytetet ku ka nisur të ndjehet luhatja e temperaturave është vënë re edhe një rritje e numrit të emergjencave pediatrike.
Gazetarja Ema Shazivari raporton se në urgjencën e Pediatrisë në QSUT paraqiten deri në 260 fëmijë me shqetësime të shkaktuara nga virozat e stinës.
Kurse në qendrat shëndetësore një mjek mund të vizitojë në ditë rreth 30 fëmijë që paraqiten me simptoma. Për të vegjlit që dyshohet se mund të kenë koronavirus bëhet fillimisht një test i shpejtë.
Aktualisht te Pediatria ndodhen të shtruar 11 pacientë të vegjël ndërsa sa i përket pavijonit Covid-19, gazetarja Shazivari raporton se numri i fëmijëve krahasuar me një vit më parë është më i lartë, por simptomat janë më të lehta.
Kurse, Leonidha Musai nga Durrësi raporton për një situatë më të qetë. Sipas tij, në ditë mund të bëhen nga 150-170 vizita në ditë. Mesa duket në qytetin bregdetar nuk është hasur akoma viroza e cila ka simptoma të ngjashme me Covid-19.
“Situata është normale për stinën.”
Rastet e të vegjëlve me Covid-19 në këtë qytet janë shumë të rralla dhe me simptoma të lehta.
Elton Nika nga Vlora raporton se te Pediatria e këtij qyteti bëhen rreth 50 vizita dhe simptomat e vogëlushëve janë të ngjashme me ato të Covid-19. Diferenca më pas bëhet me kryerjen e tamponit.
Në Lezhë situata duket normale për stinën në të cilën ndodhemi. Gazetari Gjergj Figuri raporton se aktualisht bëhet fjalë për jo më shumë se 25 urgjenca ditore, 3-4 prej tyre mund të kërkojnë shërbim më të specializuar.
“Nuk ka situatë problematike me Covid, por me virozat stinore që për momentin janë në kontroll.”
Kurse, nga Elbasani gazetari Aldo Kozarja raporton se çdo ditë në pediatrinë e këtij qyteti bëhen të paktën 70 vizita çdo ditë. Janë kryesisht fëmijë të prekur nga virozat por edhe të dyshuar për Covid.
Në jug, në Gjirokastër situata duket e qetë, të paktën 30 fëmijë në ditë paraqiten për vizitë mjekësore. Ndërsa, gazetarja Ledjona Xheladinaj nga Korça raporton për një fluks vizitash. Në pediatrinë e qytetit juglindor mund të bëhen deri në 100 vizita.