Në korridorin hyrës të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe dhe të Sportit të Universitetit të Prishtinës është e ekspozuar harta me shtetet e botës, që nuk i ka të kufizuara si duhet Kosovën dhe Shqipërinë.
Më shumë se një muaj më parë, KALLXO.com raportoi për një hartë të ngjajshme në Fakultetin e Arteve të UP-së, e cila u zëvendësua me një hartë të re, pas raportimit.
Florian Miftari, dekani në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv në UP e ka konfirmuar për KALLXO.com se Besnik Loxha, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së i kishte kontaktuar nëse ka një hartë të tillë në fakultetin e tyre.
Sipas Miftarit, ata e kanë raportuar hartën te Loxha dhe se pritet të hiqet.
“Nuk e di pse e kemi leju [të ekspozohet]… Ndoshta iu ka ikë si detaj, sepse kjo është e raportuar, ne i kemi korrespodencat. Na nuk mundemi kurgjo me ba aty, na mundemi veç me raportu, sepse nuk është qasje e jona aty. Ai është shtand i Rektoratit, të cilin ka investu. Ne mund ta heqim, po nuk e di se mos po bëjmë ndonjë shkelje diçka”- ka thënë Miftari.
Loxha pasi është deklaruar për këtë çështje përmes telefonit, e ka ndarë me KALLXO.com komunikimin me njësitë akademike të UP-së, që e kishte bërë më 21.03.2025, për ta informuar nëse ka harta të tilla dhe që të hiqen, korrigjohen ato. Ky komunikim shihet se i ishte dërguar edhe dekanit Miftari edhe Gani Ibrahimit, sekretar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe dhe të Sportit.
Në këtë komunikim, Ibrahimi më 24.03.2025 vetëm i kishte dërguar Loxhës një fotografi të hartës, duke llogaritur se e ka raportuar atë.
“Ajo hjeket, kështu që nuk po e shoh diçka shumë tragjike. Po paska qenë keqkuptim edhe mes neve. Se gjithë tjerët, njësitë akademike, kanë ndërmarr masa të menjëhershme edhe e kanë hjek, veç këta paskan mbet si duket e paskan keqkuptu email-in a s’po di çka” – tha Loxha.
“Nuk është mungesë e përgjegjësisë sime po është mungesë e përgjegjësisë apo keqkuptimit të njerëzve që i kanë pasë ato harta… Si duket, paska ardhë puna që me shku në secilën njësi akademike edhe unë vetë personalisht me këqyr a janë a s’janë [hartat]” – ka shtuar Loxha.
Ashtu siç kishte treguar edhe më parë Loxha, përveç në Fakultetin e Arteve të UP-së, kjo hartë ka qenë e ekspozuar edhe në Fakultetin e Arkitekturës, atë Ekonomik dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në UP.

Tetë muaj më parë, e njëjta hartë me shtetet e botës u hoq në Fakultetin e Filologjisë pasi profesorë e studentë të UP-së vërejtën se diçka nuk po shkonte me hartën: Kosova dhe Shqipëria nuk figuronin fare në të. Pra, në gjithsej pesë fakultete të UP-së ka pasur hartë të tillë deri më tani.