Selami Klaiqi është emëruar drejtor i Arsimit në Komunën e Kamenicës, shkruan AlbanianEducation.net.
Njoftimin e ka dhënë kryetari i kësaj komune, Kadri Rrahimaj.
Postimi i tij:
Selami Klaiqi do të jetë Drejtori për Arsim📚✅
Ai posedon përgatitjen profesionale dhe përvojën e nevojshme për ta udhëhequr një nga drejtoritë më të rëndësishme komunale, atë të arsimit.
Selamiu studimet Bachelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike drejtimi Inxhinieri Kompjuterike, në vitin 2014 ka përfunduar Masterin e parë në Shkenca Kompjuterike ndërsa Masterin e dytë e ka përfunduar në vitin 2020 po ashtu në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Edukimit në Specializim në Mësimdhënie për TIK.
Ai gjithashtu ka vazhduar edhe studimet për doktoratë në fushën e Shkencave Kompjuterike.
Që nga viti 2007 punon në sektorin privat në fushën e IT-së ndërsa nga viti 2009 ka filluar punën si mësimdhënës i TIK-ut në Gjimnazin “Ismail Qemali”.
Ai punën e ka vazhduar me përkushtimin më të lartë në mësimdhënie, e në vitin 2015 si mësimdhënës i shkollës “Andrea Durrsaku” është shpallur “Mësimdhënës i Dalluar”.
Selamiu që nga viti 2015 punon si asistent dhe ligjërues i angazhuar në Universitetin “Kadri Zeka” në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, dhe është i certifikuar si trajner i programeve të ndryshme në mësimdhënie si ECDL, nga British Council “Shkollat e Shekullit 21”.
Selamiu gjithashtu ka qenë anëtar i ekipit për hartimin e strategjisë së Arsimit në Kosovë 2022-2026, ndërsa në vitin 2025 si koordinator ka udhëhequr ekipin e ekspertëve në nivel të komunës sonë për hartimin e Strategjisë për Mësimin Tërëditor.
Selami Klaiqi me përkushtimin më të lartë siç e udhëhoqi Gjimnazin “Ismail Qemali” për 4 vite si drejtor do të vazhdojë projektet në arsim dhe do të fillojë edhe projekte të tjera inovative në të mirën e nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë prindërve të komunës sonë.