SBAShK-u dhe MAShTI-ja kanë qëndrime të ndryshme për mbajtjen e procesit mësimor gjatë ditës së sotme.
Zyrtarët e SBAShK-ut kanë thënë për gazetën Nacionale se po respektohet vendimi i tyre për të mos i kompensuar orët e humbura gjatë grevës, ndërsa përfaqësuesit e MAShTI-së kanë thënë se mësimdhënësit i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të tyre.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se shumica e mësimdhënësve kanë dalë sot për të mbajtur mësim, duke i zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës.
Nga kabineti i Ministrisë së Arsimit, Valdrin Dervishaj ka thënë për gazetën Nacionale se inspektorët janë në terren nga ora 7:30.
“Inspektorët tashmë janë në terren nga ora 7:30. Kemi informatat e para. Në bazë të informatave, shumica e mësimdhënësve i janë përgjigjur pozitivisht kalendarit të vitit shkollor. Ndërsa edhe në lidhje me paraqitjen e nxënësve në shkollë, është një numër i madh që janë paraqitur, kjo varion nga shkolla në shkollë dhe nga komuna në komunë. Në rastet kur nxënësit mungojnë, duhet të evidentohen në ditar për mungesë”, ka thënë ai.
Dervishaj u është drejtuar prindërve, duke thënë se duhet të sigurohen që informacionet t’i marrin nga organet kompetente, përkatësisht MAShTI-ja dhe DKA-të dhe t’i shmangin informacionet nga persona që i tejkalojnë kompetencat dhe përgjegjësitë.
“Ndërsa mësimdhënësit të jenë në komunikim me prindërit që t’i informojnë nga afër për kalendarin shkollor”, tha ai.
Sidoqoftë, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Blerim Mehmeti ka thënë se vendimi për mosmbajtjen e mësimit është duke u respektuar në masë të madhe.
“Saktësisht nuk mund të them përqindje. Janë duke raportuar në një grup ku jemi së bashku me kryetarët e niveleve komunale. Mund të them me siguri të plotë se në përqindje të madhe është duke u respektuar vendimi i SBAShKU-t. Bashkërisht, si vendim që e kanë marrë edhe dy institucione të tjera, që janë Këshilli i Prindërve dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Pra ky vendim është duke u respektuar në masë të madhe, mirëpo nuk mundem të flas me përqindje”, ka thënë Mehmeti për Nacionalen.
Ditë më parë, SBAShK-u e kundërshtoi vendimin e MAShTI-së për zëvendësimin e orëve të humbura.
Në një konferencë për medie të enjten, kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, e ka cilësuar të ngutshëm vendimin për kalendarin e ri, pa marrëveshje paraprake me sindikalistët.
“Vendimi për kompensim të orëve ishte i ngutshëm nga ministrja Nagavci, pasi nuk e ka respektuar kontratën kolektive. Nagavci, në vend të konsultimeve me SBAShK-un, ka sjellë vendim të njëanshëm. Nuk do të ketë mësim këtë të shtunë. Presim gjatë javëve të ardhshme të na thërrasë në takim. Nëse javën e ardhshme nuk do të ketë takime, prapë do ta respektojmë kontratën. Me rastin e pezullimit të grevës, kemi pritur që ministria e Qeveria do të dialogojnë, por ata kanë vazhduar me avazin e vjetër”, ka thënë Jasharaj.
Lidhur me këtë vendim të Sindikatës, ka ardhur edhe reagimi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, po atë ditë. Kjo ministri ka thënë se dita e shtunë nuk do të jetë ditë pushimi, por ditë mësimi.
“Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat. Gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 % e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvendësohen. Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave”, thotë MAShTI-ja.
Vendimi për mbajtjen e mësimit ditën e shtunë ishte kundërshtuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, duke thënë se mbajtja e mësimit të shtunën është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Mësimi për nxënësit e cikleve parauniversitare ka filluar me 3 tetor 2022, pasi i gjithë muaji shtator ishte grevë nga ana e mësimdhënësve.