Kryetarët e Këshillave Greviste komunale, të universiteteve dhe ata të shoqatave sindikale të Federatës së shërbyesve civilë kanë mbajtur takim gjatë ditës së sotme.
Përmes një njoftimi për mediat SBASHK-u thotë se ata kanë pritur se e shtuna dhe e diela do të jenë ditë të angazhimet e përkushtimit të Qeverisë për të pasur takime me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe për të bërë angazhime për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme.
Sipas sindikatave, deklaratat e Kurtit dhe anëtarëve tjerë të Qeverisë gjatë ditës nuk japin shpresa për zhbllokim të situatës.
“Deklarimi i Kryeministrit Kurti duke mos pasur as edhe një argument të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it ka krijuar indinjatë të grevistët dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë dhe krijohet përshtypja se në vend të angazhimit për takime e arritjen e marrëveshjes së pranueshme Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen e dhe sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë”.
SBASHK-u thotë se dyshimi i grevistëve është forcuar pas vazhdimit të deklaratave të Kryeministrit lidhur me grevistët dhe sindikalistët në përgjithësi.
“Të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”.
SBASHK thotë se nuk do të pushojnë për asnjë moment për të tentuar të gjejnë zgjidhje bashkë me Qeverinë.
“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë përgëzuar grevistët të cilët, edhe përkundër presioneve të vazhdueshme ndaj tyre, por vazhdojnë të qëndrojnë me dinjitet dhe unik në përpjekjet për realizimin e kërkesave të tyre legjitime. Njëherazi i sigurojnë grevistet se do te jenë zëri i tyre dhe s’do te pushojnë asnjë moment për të tentuar që të bisedojnë me Qeverinë për të gjetur një mënyrë të realizimit të kërkesave”, thuhet në kumtesën e SBASHK-ut.