Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, ka bërë të ditur se në dy vitet e fundit është rritur numri i shkollave që janë mbyllur në zonat rurale dhe të thella, për shkak të rënies së numrit të nxënësve.
Komuna si Dragashi, Deçani, Malisheva, Kamenica dhe Istogu janë ndër më të prekurat, thotë ajo.
“Në dy vitet e fundit, disa shkolla janë mbyllur në zonat rurale dhe më të thella, ku numri i nxënësve ka rënë nën minimumin e nevojshëm për funksionim. Shembuj konkretë i kemi në komuna si: Dragash, Deçan, Malishevë, Kamenicë, Istog”, deklaroi ajo.
Shala thotë se përveç mbylljes së shkollave të tëra, janë shuar edhe paralele brenda institucioneve arsimore.
“Në shumicën e rasteve nuk janë mbyllur vetëm shkolla të tëra, por edhe paralele brenda shkollave, duke detyruar bashkimin e klasave dhe riorganizimin e mësimit në mënyrë jo efikase. Kjo situatë ndikon negativisht edhe te mësimdhënësit, nga të cilët shumë po mbeten pa normë pune ose me angazhim minimal”, theksoi ajo.