Paralajmëron SBASHK: Nëse vazhdon ikja nga Kosova shkollat do të mbesin pa mësimdhënës

- Advertisement -

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, ka ngritur shqetësimin për largimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat e Kosovës, duke theksuar se emigrimi drejt vendeve evropiane po ndodh për shkak të kushteve më të mira të jetesës dhe pagesave më të larta.

- paragrafi 1 -

Shala tha se shkollat rrezikojnë të mbesin pa staf arsimor dhe pa nxënës nëse trendi aktual vazhdon.

- Advertisement -

“Shumë shqetësuese janë informacionet që po i marrim nga terreni për largimin e nxënësve nga shkollat e Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe për largimin e mësimdhënësve nga shkollat e Kosovës. Shumica prej tyre po emigrojnë nëpër Evropë, ngase atje po gjejnë kushte më të mira për jetesë dhe pagesa më të mira për mësimdhënësit. Është shqetësuese një gjë e tillë, ngase shkollat e Kosovës po boshatisen si nga nxënësit ashtu edhe nga mësimdhënësit. Thjesht, mësimdhënësve po u duhet të mësojnë gjuhën e shtetit ku emigrojnë, pasi përvojën e punës tashmë e kanë. Është shqetësuese, sepse në një të ardhme, nëse vazhdon një ikje e tillë, shkollat tona do të mbesin edhe pa mësimdhënës. Duke analizuar edhe gjendjen politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kjo po shkakton pasiguri si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit”, tha Shala.

Ajo kritikoi institucionet shtetërore për moskrijimin e kushteve të duhura në arsim dhe për vonesat në funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

“Duke mos pasur siguri në shkollat tona, duke pasur parasysh kushtet e punës dhe pagesat, atje (në vendet evropiane) po gjejnë pagesë më të mirë dhe vlerësim më të mirë. Në të njëjtën kohë, edhe nxënësit me familjet e tyre natyrisht po ikin, ngase po gjejnë kushte më të mira në vende të ndryshme të Evropës. Këtë ikje e ka mundësuar vetë liberalizimi i vizave. Këtë vit, me rastin e liberalizimit, familjarë të ndryshëm po ikin për të provuar jetën e tyre diku në Evropë dhe duke gjetur jetesë më të mirë, natyrisht që po vazhdojnë të jetojnë në ato shtete”,tha ajo për EkonomiaOnline.

- Advertisement -

Gjithashtu, Shala përmendi edhe zbatimin e mangët të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pagesën e përvojës së punës si dhe vonesat në nënshkrimin e kontratës kolektive me Ministrinë e Arsimit.

“Përgjegjës është vetë shteti dhe vetë institucionet që janë përgjegjëse për krijimin e kushteve më të mira, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit. Tashmë kanë kaluar disa muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe nuk po arrihet të bëhet konstituimi i Kuvendit. I kemi edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës, që kanë të bëjnë me 15 vitet e para të shërbimit. Mësimdhënësve po u paguhen vetëm 0.25% për çdo vit shërbimi, ndërsa Gjykata ka marrë vendim për 0.5%. Rreth katër për qind po dëmtohen në pagë, përballë çmimeve të rritura për jetesë. Kemi edhe rastin e draft-kontratës kolektive, e cila është dashur të nënshkruhet mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut”, tha Shala.