Pavarësisht mungesës së vullnetit për dialog nga institucionet qendrore, përkatësisht Qeveria dhe MASHTI, SBASHK po vazhdon të organizojë rregullisht takime në nivel lokal, në interes të punëtorëve arsimorë.
Një takim i tillë u mbajt sot me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Prishtinë dhe me drejtorët e institucioneve arsimore të kryeqytetit.
SBASHK mori pjesë në këtë takim me ftesë të drejtorit të Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ku të pranishëm ishin drejtorët e shkollave të Prishtinës.
Në takim, SBASHK-u u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm, Ymer Ymeri, zyrtari ligjor, Blendor Shatri, dhe Kryetari i NSKAP-it për Prishtinë, Qamil Hajdini.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut morën pjesë në cilësinë e vëzhguesve dhe dhanë kontributin e tyre në diskutimet për disa çështje me interes për arsimin.
Gjatë takimit u diskutua për:
• mundësinë e udhëtimit pa pagesë të mësimdhënësve me Trafikun Urban,
• përgatitjet për buxhetin e vitit të ardhshëm, si dhe
• njoftimet lidhur me shkollat që do të përfshihen në mësimin gjithëditor.
Në emër të SBASHK-ut, fjalën përshëndetëse e mbajti Sekretari i Përgjithshëm, z. Ymer Ymeri, i cili falënderoi drejtorin e DKA-së, z. Samir Shahini, për bashkëpunimin e mirë me SBASHK-un, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, për mundësinë që punëtorët e arsimit të udhëtojnë falas përmes Trafikut Urban.
Ymeri përgëzoi DKA-në që, pavarësisht sfidave me mosmiratimin e buxhetit nga Kuvendi, Komuna e Prishtinës ka arritur të funksionojë me buxhetin e vitit të kaluar dhe t’i realizojë të gjitha planifikimet e parapara.
“Urojmë që ky bashkëpunim i mirë të vazhdojë në të njëjtin nivel edhe në javët dhe muajt në vijim,” – tha Ymeri.
Ai theksoi gjithashtu se SBASHK mbështet mësimin gjithëditor, veçanërisht në rastet kur mësimdhënësit nuk kanë angazhim shtesë. Në ato raste kur ka angazhim shtesë, sipas tij, ai duhet të paguhet si mbinormë, gjë që njëkohësisht kontribuon në ruajtjen e vendeve të punës në arsim.