SBASHK, të shtunën, ka filluar me sukses realizimin e katër grupeve të trajnimit në Shtime.
Trajnimet po zhvillohen në kuadër të programit “Aplikimi i programeve kompjuterike në mësimdhënie”, Moduli 2, me dy grupe të udhëhequra nga trajnerët Arben Zymeri dhe Dorontinë Demaku, si dhe një grup me Modulin 1, me trajneren Blerona Ahmeti.
Po ashtu, ka filluar edhe një grup trajnimi me temën “Forcimi i kapaciteteve efektive për udhëheqjen e dialogut social”, me trajnerët Emrush Ahmeti dhe Jehona Hysenaj Slivova, trajnerë të caktuar nga SBASHK.
Mësimdhënësit pjesëmarrës në këto trajnime u vizituan nga Sekretari i Përgjithshëm i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i shoqëruar nga zyrtari ligjor Blendor Shatri dhe kryetari i NSKAP-it për Shtime, Bekim Krasniqi.
Ata bashkëbiseduan me pjesëmarrësit rreth rëndësisë së trajnimeve dhe çështjeve të tjera që lidhen me mësimdhënien.
Sekretari i Përgjithshëm i përgëzoi mësimdhënësit për përkushtimin e tyre, duke theksuar se, edhe në ditët e vikendit dhe përkundër kushteve jo të favorshme për zhvillimin e trajnimeve (mungesës së nxemjes në objekt), ata kanë treguar vullnet dhe gatishmëri për të fituar njohuri të reja në funksion të ngritjes profesionale.
SBASHK vlerëson lart angazhimin, gatishmërinë dhe përkushtimin e mësimdhënësve për zhvillim profesional dhe mbetet gjithmonë në shërbim të anëtarësisë së saj.