SBASHK përmes një njoftimi ka dalë në mbështetje të thirrjes “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet nesër për krerët e UÇK-së qëpo mbahen në Hagë.
SBASHK ka bërë thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e marshit qytetar dhe të mbushim sheshet e Kryeqytetit me dinjitet, me qetësi dhe me krenari kombëtare.
“Le të dëgjohet fuqishëm zëri ynë për drejtësi. Le të dëshmojmë se mirënjohja ndaj atyre që kontribuuan për lirinë tonë është vlerë e patjetërsueshme. 17 Shkurti është festë. Është krenari. Është përgjegjësi”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar anëtare dhe anëtarë të SBASHK-ut,
Nesër shënojmë një nga ditët më të lavdishme të historisë sonë kombëtare – 17 Shkurtin, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovë-s, ditën kur ëndrra shekullore e popullit tonë u bë realitet.
Por 17 Shkurti i vitit 2026 është edhe më i veçantë. Këtë herë, ai na gjen të bashkuar si kurrë më parë rreth një thirrjeje të fuqishme qytetare: “Drejtësi, jo politikë!” – një zë i përbashkët në mbrojtje të çlirimtarëve tanë, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po përballen me procese në Hagë, larg familjeve dhe atdheut për të cilin sakrifikuan gjithçka.
Populli i Kosovës ka ditur gjithmonë të qëndrojë në anën e drejtësisë. Ka ditur të bashkohet në momentet më të mëdha historike. Dhe në të gjitha këto procese shtetformuese, ju – anëtarët e SBASHK-ut – keni qenë në ballë të përgjegjësisë kombëtare: në vitet e rezistencës, në kohën e sakrificës, në ndërtimin e institucioneve dhe në forcimin e shtetit tonë.
Edhe kësaj radhe, historia na thërret.
Ju ftojmë që nesër, masovikisht, së bashku me familjet tuaja, të bëhemi pjesë e marshit qytetar dhe të mbushim sheshet e Kryeqytetit me dinjitet, me qetësi dhe me krenari kombëtare. Le të dëgjohet fuqishëm zëri ynë për drejtësi. Le të dëshmojmë se mirënjohja ndaj atyre që kontribuuan për lirinë tonë është vlerë e patjetërsueshme.
17 Shkurti është festë. Është krenari. Është përgjegjësi.
Të dalim së bashku, me flamurin kuqezi dhe me flamurin e shtetit tonë, me zemër plot dashuri për atdheun dhe me besim të palëkundur në drejtësi.
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë! Urime Dita e Pavarësisë!
Me respekt dhe krenari.