Samir Shahini nuk është më drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës. Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se vendimin që ai të mos jetë drejtor i Arsimit e ka marrë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Shahini ka listuar punën e kryera gjatë kohës sa ka ushtruar detyrën e drejtorit të Arsimit, ndërsa thotë se ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimi i një dite.
“Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite. Vjen nga qëndrueshmëria në procese. Nga guximi për të mos u kthyer mbrapa”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë, kolegë drejtora, mësimdhënës e staf të shkollave, të respektuar prindër e të dashur nxënës,
Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu.
Një gjë dua ta them qartë: puna që kemi nisur nuk ishte e zakonshme dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë.
Me ekipin tim nga drejtoria, me shkollat e prindërit, bashkë kemi sfiduar mënyra të vjetra të funksionimit. Po i numëroj disa nga punët që kemi realizuar bashkë:
– Kemi vendosur standarde më të larta për mësimdhënie,
– kemi zgjeruar mësimin tërëditor në 7 shkolla të tjera,
– kemi finalizuar renovime në 14 shkolla, duke hapur edhe objektin e ri të shkollës 7 Shtatori, dhe çerdhen e re në lagjen Dardania,
– kemi filluar adaptimin e objektit të shkollës Avni Rustemi në Suteskë të Mramorit si çerdhen e parë në Gollak,
– kemi inicuar procesin e analizimit e largimit të ngarkesës administrative për mësimdhënësit,
– kemi shpërndarë mbi 300 tabela digjitale në dhjetëra shkolla për më pak se 1 vit,
– kemi filluar Ligen e Shkollave për djem, e këtë vit edhe për vajza,
– kemi nënshkruar rreth 40 marrëveshje bashkëpunimi me OJQ dhe biznese në të mirë të sistemit të arsimit,
– kemi kërkuar matje reale të dijes, dhe kemi shtyrë përpara përgjegjësinë në çdo nivel – nga drejtori te klasa.
Këto asnjë nuk janë procese të lehta. Por janë të domosdoshme.
Për këtë rrugë që kemi hapur, për gjithë punën e përkushtimin tim gjatë kësaj kohe jam jashtëzakonisht krenar, e sot largohem me kokën lart.
Dhe mbi të gjitha, jam mirënjohës për ju që nuk keni zgjedhur rrugën më të lehtë, por atë që i shërben më së miri nxënësit.
Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite. Vjen nga qëndrueshmëria në procese. Nga guximi për të mos u kthyer mbrapa.
Prandaj, vazhdoni.
Mos e ulni standardin. Mos e ndalni ritmin.
Sepse në fund, nuk është çështje mandati. Është çështje e së ardhmes së fëmijëve tanë.
I juaji,
Samir Shahini