Ekspertët thonë që është gabim t’i injoroni apo t’u thoni që janë të mërzitshëm, për shkak që ndikon negativisht në zhvillimin e tyre.
Fëmija juaj përherë ka “mijëra” pyetje, ndërkaq ju rrallëherë keni përgjigje? Aq shumë për çdo gjë ju pyet gjatë ditës, saqë nuk keni më forcë t’u përgjigjeni as gjysmës së asaj që e interesojnë? Është fakt që fëmijët në njëfarë moshe pyesin shumë, sepse çdo gjë u interesojnë, andaj duhet t’i respektoni.
Ekspertët thonë që është gabim t’i injoroni apo t’u thoni që janë bërë të mërzitshëm, për shkak që kjo ndikon negativisht në zhvillimin e tyre. Në vitet e para të jetës më së shpejti mësojnë dhe çdo gjë që përvetësojnë do t’u jetë e vlefshme.
Prandaj do të duhej të kultivoni kureshtjen e tyre dhe t’u përgjigjeni madje edhe pyetjeve të cilat fëmija tashmë i ka bërë apo e dini që i di ato, sepse ai në atë mënyrë tregon nevojën t’i verifikojë disa dije apo që të bindet që edhe të tjerët kalojnë nëpër të njëjtat përvoja. Pavarësisht sa jeni të lodhur, përpiquni t’u përgjigjeni.
Nëse nuk dini, kërkoni me forca të përbashkëta. Apo lëreni imagjinatën të lirë. Fëmija do t’ju jetë mirënjohës.