Në një ditë të bukur prilli apo maji në Kosovën e pasluftës, ne studentët e grupit të Letërsisë dhe Gjuhës linim Fakultetin e Filologjisë dhe niseshim drejt institutit Albanologjik. Aty në katin e dytë, në njërën prej sallave të Institutit na priste profesori, Rexhep Qosja. Ndodhte të kishim ndonjë muhabet apo diskutim të shkurtër, mbase reflektim në heshtje, derisa studentët mblidheshin në sallë dhe fillonte ligjërata. Për çfarë do fliste gjatë atyre ligjëratave?
-Për kategoritë estetike, për të bukurën, të shëmtuarën, për të madhërishmen…
-Për tragjiken në jetë, në art dhe në letërsi,
-Për jetesën dhe mbijetesën,
-Për poezinë, prozën, dramën, filmin…
-Për autorin, fatin e tij dhe fatin e veprave në kohë,
-Për librat e zhdukur dhe librat e ndaluar përgjatë historisë,
-Për Rilindjen, për letërsinë e përbotshme. Për Danten, Shekspirin, Kafkën, Joyce-in,
-Për autorë të njohur dhe të panjohur, dhe përtej letërsisë…
-Për alkiminë e fjalës,
-Për intelektualin dhe refuzimin e tij,
-Për politikën dhe politikanët,
-Për të pasurit dhe të varfërit,
-Për rolin dhe misionin e shkollës,
-Për të kaluarën dhe ardhmërinë,
-Për organizimet shoqërore, shoqatat, partitë, shtetet, për ngritjen dhe rënien e tyre…
-Për shkëlqimin dhe mjerimin, për luksin dhe varfërinë, për luftën për pushtet, e çka tjetër…?
p.s.
Edhe diçka që ra në sy këto ditë. Njeriu që kishte zgjedhur që nga kjo botë të përcillet në heshtje, duket se largimi i tij ngjalli aq shumë kujtime, por edhe muza dhe demonë. Të parët na kujtojnë se Qosja ishte dhe mbetet një ‘iceberg’, pjesa më e madhe e të cilit gjithnjë mbetet e padukshme.
Pusho në paqe, Profesor Rexhep Qosja