Sa i shërbejmë gjuhës sonë amtare? Jemi të detyruar të shikojmë veten në pasqyrë për këtë!
“Me rastin e 21 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, jemi të detyruar të shikojmë veten në pasqyrë, se sa i shërbejmë gjuhës sonë amtare”- reflektime nga Bledi Filipi, mësues i gjuhës shqipe.
Si sot, më 21 shkurt 1999, UNESCO-ja shpalli Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Në mënyrë të përvitshme, vihet theksi tek vlera universale që mbart shumëllojshmëria gjuhësore e kombeve. Gjuha, si njësi e pandashme kulturore e vendeve, shërben jo vetëm si një mjet komunikimi, por edhe si simbol përbashkësie.
Vargjet e Mjedës, Fishtës dhe rilindësve për shqipen na vijnë si një fllad i freskët edhe sot.
Përmbi za që lshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon;
Përmbi er’ që jep zymbyli,
Pa da zemren ma ngushëllon.
Mjedja
Në bazë të thënieve të dijetarëve shqiptarë dhe të huaj për gjuhën amtare vijmë në përfundim në fjalët e gjuhëtarit kombëtar Eqrem Çabej, i cili thotë: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”. (SF/2, 1967:15)
Prandaj edhe ne, me rastin e 21 Shkurtit, Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, jemi të detyruar të shikojmë veten në pasqyrë, se sa i shërbejmë gjuhës sonë amtare. Shërbimi duhet t`i bëhet nga secili prej nesh dhe deri te institucionet shtetërore, të cilat e kanë edhe obligim kushtetues. Në shumë vende të botës gjuha amtare mbrohet me ligj. (LC 1995:35)
Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli, nëpërmjet së cilës shprehet shpirti, kultura, arti, historia dhe trashëgimia kombëtare.
Fjalët e Filip Shirokës kumbojnë edhe sot, në veshët e shqiptarëve me gjithë forcën që kanë, se “kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.(HD, 1992:31)
Këto fjalë janë alarm për shumë njerëz, për shumë familje shqiptare, por edhe për shumë institucione private dhe publike, të cilat duhet të bëjnë më shumë për gjuhën e nënës apo duhet t`i kthehen vetes sepse përndryshe nesër do të jetë vonë.
Pra, nëse ne si komb me institucionet tona nuk ecim me ritmin e përshpejtuar, ka drojë se brezat e ardhshëm do të jenë analfabet për gjuhën amtare.
Nga Bledi Filipi, mësues i gjuhës shqipe.
© Portali Shkollor