Quhet Selvije Makolli dhe është profesoreshë e matematikës që nga viti 1995. Rrugëtimi i saj profesional ka nisur në kushte të vështira, por me një përkushtim të palëkundur ndaj arsimit, shkruan AlbanianEducation.net.
Hapat e parë në mësimdhënie i ka bërë duke punuar në shtëpi private pranë familjes Hertica, ku zhvillohej mësimi i nxënësve të Gjimnazit “Sami Frashëri”.
Në ato rrethana, me mjete minimale dhe pa infrastrukturë shkollore, mësimi zhvillohej falë vullnetit, disiplinës dhe respektit për dijen.
Sot, pas shumë vitesh përvoje, vazhdon sërish punën në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, tashmë në kushte krejtësisht të tjera.
Shkolla është e pajisur me tabela digjitale, teknologji moderne dhe infrastrukturë bashkëkohore, që lehtësojnë procesin mësimor dhe krijojnë mundësi të reja për nxënësit.
Ky rrugëtim, nga shtëpitë private te klasat moderne të gjimnazit, dëshmon se pavarësisht ndryshimeve në kushte dhe teknologji, roli i mësueses dhe dashuria për profesionin mbeten thelbësore.
Arsimi ndërtohet mbi përkushtimin, durimin dhe besimin se dija është forca që e çon shoqërinë përpara. /AlbanianEducation.net/.